VIDEO/ ‘Basti i fundit’ forcat speciale aksion të madh në një loto

Një i ri është vënë në pranga nga policia, pasi akuzohet për organizim të palejuar të lotarive.

I riu i ndaluar është pronari i një pike lotoje në Kavajë. Aty janë sekuestruar edhe lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, peshore elektronike, municion luftarak, kompjuterë lojërash fati, aparate celular, mjet, një sasi lekësh dhe dollar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Basti i Fundit”, arrestuan në flagrancë shtetasin:

Erti Kadiu, 31 vjeç, banues në Kavajë (pronar i një pike lotoje).

Shërbimet e Policisë Kavajë, ishin në ndjekje të këtij shtetasi, pasi dispononin informacion se ky shtetas në pikën e tij të llotos ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e llotos së këtij shtetasi u gjetën doza lënde narkotike të dyshuar e llojit Kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :

- 4 kompjuterë lojërash fati

- 21 doza lënde narkotike e dyshuar Kokainë

- 45 fishekë model 56

- 15 fishekë model “Parabelium”

-  9 fishekë model 54

-  një sasi në lekë dhe dollarë

- peshore elektronike

- 6 aparate celularë

- mjeti tip “Ford”

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe disa dokumente shtetërore të dyshuara të falsifikuara.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.