Haradinaj: FSK të dërgojë trupa në operacione me ushtrinë britanike

Kryeministri Ramush Haradinaj po bën përpjekje që trupat e FSK’së të dërgohen në operacione me ushtrinë britanike. Këtë propozim ai thotë se ia ka bërë Ministrit të shtetit britanik për forcat e armatosura, gjatë vizitës së shefit të ekzekutivit në Londër. 

Ky është njoftimi i Haradinajt: 

Gjate vizitës zyrtare në Londër, sot takova Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, të cilin e falënderova për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar për Kosovën.

Me Ministrin Lancaster biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë e më gjerë si dhe kërkova mbështetjen e Britanisë së Madhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e tranzicionit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.

Shqyrtimi i mundësive për pjesëmarrjen e forcës sonë në operacionet paqeruajtëse në kuadër të trupave ushtarake britanike ishte poashtu një temë e diskutimit.

Marrëdhëniet bilaterale të shkëlqyera mes dy vendeve tona do të thellohen edhe me tepër në të ardhmen dhe e sigurova Ministrin Lancaster se Kosova mbetet e palëkundur ne drejtimin e saj drejt anëtarësimit te plotë në NATO dhe BE.