Paloka: Prokuroria të nisë hetimin. Votimi u manipulua nga mazhoranca

Nënkryetari demokrat Edi Paloka akuzoi Kryeministrin Rama dhe mazhorancën socialiste për manipulim të votimit të fundit në parlament të ligjit për shëmbjen e Teatrit Kombëtar.

Paloka, I ftuar në News 24,  theksoi se Vangjel Tavo rezulton se ka votuar ndërkohë që nuk ka qenë fare në parlament, madje as në Shqipëri. Ky votim tregon faktin se mazhoranca ka manipuluar votimin brenda Parlamentit.

Paloka, theksoi se opozita vendosi të bojkotojë seancën e së hënës pasi me këtë akt mafioz u shkel Kushtetuta. “Duke parë seancën e fundit në votimin për ligjin që shkatërron Teatrin Kombëtar, që i fal pronën publike Edi Ramës, nuk i mjaftoi ky akt që shkelet Kushtetuta, por u manipuluan votat para parlamentit. Rama është bërë ekspert kriminalist dhe përgjimesh. Parlamenti ka një fakt. Vangjel Tavo rezulton që ka votuar, ndërkohë që nuk ka qenë fare në parlament”.

Zoti Paloka theksoi se Prokuroria duhet të nisë hetimin. Opozita gjatë votimit të Ligjit për Teatrin, nuk ishte në ulëse, por pranë podiumit dhe me kartona në duar. “Nuk janë marrë karta nga deputetë të opozitës. Votimi është manipuluar, nuk është rast i parë, por i përsëritur. Kemi parë PS duke vjedhur votat e opozitës, kur Taulant Balla u kap me kamera duke votuar në emër të opozitës për Prokuroren“, tha Paloka.