'Tahiri në dilemë të rikthehet në politikë për kunj, Xhafaj...'

"Nuk kanë limite as në krim, as në poshtërsi e as në pafytyrësi." Kështu shkruan në rrjetet sociale, nënkryetari i PD, Edi Paloka, tek komenton zhvillimet e fundit politike dhe ku shpreh besimin se "më keq do të bëhet".

Paloka gjykon se "Tahiri, ish-Ministër i Brendshëm, i lirë, është në dilemë të rikthehet në politikë sa për “kunj” apo thjesht të shijojë milionat e drogës. Xhafaj, Ministër i Brendshëm, i hakërrehet opozitës sa herë i përmendet vëllai trafikant apo shoferi i vrarë.  Ish-kupola e Policisë “që donim” është prej më shumë se një viti në “kërkim”.

Ndërkohe, - vazhdon deputeti i PD, -  tonelatat e drogës vazhdojnë rrugën drejt Evropës. Vrasje, grabitje, rrëmbime, gjoba, aksidente e dhunë janë lajmet e përditshme për shqiptarët. Shqipëria çdo ditë e më shumë po cilësohet, jo vetëm si qëndër e krimit të organizuar por dhe si eksportuesja më e madhe e krimit në Evropë.

Po të pafytyrët nuk i pengon kjo që të nxjerrin drejtorët çdo ditë në konferenca, të organizojnë dhe aktivitete speciale ku ftojne “çiftin diplomatik” të flasë për sukseset e mëdha të operacionit “Forca e ligjit”,  i cili ka shkatërruar “bandat” e fëmijëve, që shisnin cigare në rrugë apo “kriminelë” që qarkullonin të dehur me biçikleta duke rrezikuar seriozisht qytetarët...Po s’ka problem, se “me keq do të bëhet...”