Peticion FIFA-s/ Mblidhen mbi 250 mijë firma për të përsëritur Angli-Kolumbi

Mbi 250 mijë persona kanë nënshkruar një peticion, i cili kërkon që ndeshja e 1/8-ës së finales së Kupës së Botës mes Kolumbisë dhe Anglisë të luhet përsëri.

Peticioni nisi para dy ditëve menjëherë pasi Anglia e mposhti Kolumbinë në penallti, pasi koha e rregullt dhe dy shtesat u mbyllën në barazim 1-1.

Peticioni argumenton se penalltia e akorduar në favor të “Tre Luanëve” në pjesën e dytë erdhi pas një faulli “që nuk ekzistoi askund” dhe se goli i shënuar nga sulmuesi kolumbian Carlos Bacca në kohën shtesë është dashur të pranohej.

Po ashtu, peticioni i bën thirrje FIFA-s t’i rishikojë këto dy raste në mënyrë që të vërë precedent për lojë “Fair Play”.