Presidenti Meta, mesazh prekës për vdekjen e ikonës së futbollit shqiptar, Skënder Hyka

Ditën e djeshme u nda nga jeta ish-futbollisti i shquar i Tiranës (17 Nëntorit të atëhershëm) dhe i ekipit tonë kombëtar, Skënder Hyka.

Ish-sulmuesi u shua në moshën 74-vjeçare, teksa sot klubi bardheblu ka lajmëruar se do të bëhen homazhe në orën 11:00 në ambientet e stadiumin “Selman Stërmasi”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook një mesazh ngushëllimi për ikonën e futbollit shqiptar.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe Klubit të Futbollit Tirana për ndarjen nga jeta të Skënder Hykës. Ai do të mbetet një prej futbollistëve më të dashur të fanellës bardhë e blu të viteve 60-70 dhe një prej sulmuesve dhe golashënuesve më të mirë të kampionatit kombëtar të futbollit. Kontributi i tij i vyer si anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe si trajner dhe mësues i palodhur i edukimit fizik, do të mbeten në kujtesën e të gjithëve. Modeli i një qytetari të Tiranës dhe përfaqësues i denjë i familjeve të vjetra tiranase, Skënderi do të kujtohet me mirënjohje dhe nderim nga të gjithë sportdashësit për emocionet e veçanta që ai u dhuroi në fushën e gjelbërt. Jam pranë familjes Hyka, e cila për dekada të tëra vazhdon t'i japë futbollit tonë emra të njohur e të shquar! U prehtë në paqe shpirti i tij!”, shkruan Presidenti Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit.