‘Rama si dhia, veç kakërdhia’

Duke pritur në Sarandë tragetin për Korfuz, tre mesoburra ngjitur me tavolinën time, flisnin për qeverinë, siç bën rëndom shumica e popullit shqiptar sa hap sytë çdo mëngjes.

Dukej që nuk ishin në një mendje nga që bërtisnin fort dhe hera herës u ngrihej si pallat damari i ballit.

Nuk donin t’ia dinin që trazonin qetësinë e të tjerëve. Tirrnin leshtë e muhabetit të tyre pa u ndrojtur fare.

Thelbi i bisedës qe se Rama për pesë vjet nuk ka bërë asgjë.

-Siç qemë, jemi, njësoj. Pa punë, pa rritje rrogash, pa ulje çmimesh, pa...

Por s’qe e thënë të mbaronte mendimin se çirrej tjetri:

-Po Saliun e harrove, more? Po të vrarët e 2 prillit, po...

As ky nuk i vinte dot pikë muhabetit se ia fillonte britmës i treti:

-Akoma me Saliun ju, akoma me vitin 1938 si Enveri, akoma me ata që ikën, akoma...

Kot i shkonte gulçima dhe këtij. Riniste tema atje ku e nisën.

-Asnjë rrugë, asnjë investim, pa drita e pa ujë...

-Avash ti, avash, se mos e ndriti Saliu...

-Na çatë trapin ju  me këto sherre...

Në fund njëri prej tyre lëshoi një frazë që  për çudi e pranuan të tre debatuesit e zjarrtë. Dhe ranë squk. U vendos qetësia.

-Rama ashtu si dhia, deri tani ka bërë veç kakërdhia.

Heshtje në lokal. Nuk u ndërsenë më si qentë me njëri-tjetrin.

Se në fakt e vërteta e këtij pesëvjeçari kështu doli. As rrugë, as rroga, as shëndetësi falas, as arsim cilësor, as paqe sociale, as ulje e varfërisë, as investime të huaja, as hyrje në Evropë, as... Vetëm ca kakërdhia asfalti në autostradën Tirane-Durrës.

Pritej veza e madhe premtuar në fushata, në dëgjesa, në tv e gazeta dhe doli kakërdhia, ama realizuar bukur dhe mjeshtërisht në 3D. U pranua si aforizëm,ndaj tre burrat heshtën. Kësaj qeverie i përshtatet si logo një kakërdhi qoftë dhe e vockël.

Atë çast erdhi koha të hypi në traget. Sa afrohem te polici i kufirit ai ma bën me dorë të ec. Nuk kontrollon në kompjuter as pasaportë  e as biletë.

Kishin ikur dritat. Nga trageti  shihja si fekste Korfuzi, ngjitur me atdheun, dhjetë milje afër, dy botë larg. Po ecja mes valëve dhe po lija pas me trishtim brigjet e Kakërdhi Landit tim...