Sulm në një shkollë në Afganistan, ekzekutohen tre roje

Zyrtarët në Afganistan thonë se persona të dyshuar si anëtarë të grupit Shteti Islamik ekzekutuan tre roje të një shkolle shtetëtore në provincën Nangarhar dhe i vunë zjarrin ndërtesës, duke e djegur atë pjesërisht.

Zëdhënësi i Departamentit rajonal të Arsimit i tha Zërit të Amerikës se sulmin në shkollën e mesme për djem e kryen një grup personash të armatosur.

Askush nuk mori përgjegjësinë, por zyrtarët e provincës mendojnë se autor i sulmit, ka qenë grupi Shteti Islamik.

Dega e këtij grupi terrorist në Afganistan organizon vazhdimisht sulme vetëvrasëse me bombë dhe ekzekuton me prerje koke personat që i akuzon se punojnë për qeverinë.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për dy sulme vetëvrasëse me bombë në Nangarhar gjatë festimeve të Bajramit muajin e kaluar. Në këto sulme u vranë rreth 50 vetë dhe u plagosën mbi 130 të tjerë.

Autoritetet afgane thonë se në katër provinca të vendit janë aktivë rreth 2 mijë luftëtarë të ISIS-it.