PD: Ngjarja tragjike me shoferin e Xhafajt është vrasje mafioze, jo skenar fantazie siç do ta shesë kryeprokurori Rama

Partia Demokratike ka deklaruar se ngjarja tragjike me shoferin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj "është vrasje mafioze dhe jo skenar fantazie siç do ta shesë kryeprokurori Edi Rama".

Kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho, nga selia blu, hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit Rama nga Korça se me vdekjen e Shkëlzen Qordjes po abuzohej politikisht, kur gardisti, shofer i ministrit të Brendhsëm, në të vërtetë kishte kryer vetëvrasje.

Por, ja ç'deklaroi në mesditë Edmond Spaho:

"Këto 5 vjet në pushtet Edi Rama ka mohuar çdo skandal që implikon atë dhe qeverinë e tij në krim! Edi Rama quajti skenar fantazie edhe transportin e  droges me avionë. Ai tha se kriminelet në Parlament dhe bashki ishin skenarë makabër të opozitës. Kanabizimin e vendit Edi Rama e quajti njësoj si sot, skenar fantazie makabër.

Përfshirjen e Saimir Tahirit me Audin e tij AA 003 GB në trafikun ndërkombëtar të drogës bashkë me Habilajt, Edi Rama e cilësoi skenar kriminal të opozitës.

Edi Rama mohoi për 5 vjet dënimin e Agron Xhafës, vëllait të Ministrit të Brendshëm, për trafik ndërkombëtar droge.

Tani, po mohon, me të njëjtat fjali, përfshirjen e Taulant Ballës, në pastrimin e parave të drogës me çështjen e 3.4 milionë eurove, të kapura në Toyota Yaris vetëm pasi u denoncuam nga opozita.

Mohimi i këtyre të vërtetave e la Shqipërinë jashtë Europës! Sepse më vend të së vërtetës dhe të Europës, Edi Rama zgjodhi Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, bashkëqeverisjen me krimin dhe drogën, duke tradhëtuar interesat e shqiptarëve. Me Edi Ramën kryeministër dyert e Europës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe qershorin tjetër.

Edhe për faktin se, për të fshehur një vrasje mafioze, Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba".