Macron në Vatikan pritet nga Papa Françesku

Ndërsa çështja e emigrantëve, vazhdon të mbajë ndezur tensionin politik mes Italisë dhe Francës, Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur sot në Romë ku ka zhvilluar një vizitë pune në Vatikan. Ai është pritur nga Ati i Shenjtë Papa Françesku.

Në qendër të këtij takimi është problematika e fluksit emigrator në Europë dhe politikat e Bashkimit Europian mbi emigracionin. Takimi mes Papa Françeskut e Macron zhvillohet pak orë pas zhvillimit të samitit informal mbi emigracionin i mbajtur së fundmi në Bruksel e pak orë para samitit të 28 vendeve anëtare të BE që pritet të mbahet më 28 qershor.

Mediat italiane dhe franceze theksojnë se takimi i sotëm në Vatikan është një takim mes dy burrave me karakter të fortë që nuk e njohin mirë njëri-tjetrin, por që mund të gjejnë dakortësi në shumë drejtime siç është politika emigruese, mbrojtja e ambientit, klima, ndihmat humanitare ndaj vendeve në zhvillim dhe paqja e politikat shumëpalëshe për arritjen e saj.