Takimi me artistët, regjisorja e Teatrit Kombëtar ka një përgjigje për Veliajn

Ditën e djeshme Erion Veliaj ftoi artistët në një dëgjesë për Teatrin Kombëtar.

Kryebashkiaku i Tiranës u ka dërguar ftesë artistëve për të arritur një debat konstruktiv mes palëve, për një të mirë të përbashkët.

Por me sa duket kryebashkiaku nuk ka ftuar të gjithë artistët, por vetëm një pjesë të tyre.

Një prej të përjashtuarave nga ky takim ka qenë edhe regjisorja e këtij Teatri, Elma Doresi.

Kjo e fundit me një status në Facebook shkruan:

‘Lajmin për dëgjesën mbi Teatrin e mora vesh tani nga statuset e miqve. Ftesat i paska bërë vetë Kryetari i Bashkisë.

Më vjen mirë që shoh kolegë nga të gjitha brezat, por kryetar unë vazhdoj të jem regjisorja e Teatrit Kombëtar dhe bashkë me miqtë e mi që kemi punuar këto vite mendoj se duhet të ma kishe dërguar edhe mua këtë ftesë’, shkruan Doresi, që së fundmi është edhe regjisore e ‘Zbutja e Kryeneçes’.

Ndërkohë, regjisorja nuk është e vetmja që nuk ka marrë një ftesë për në dëgjesën publike, pasi edhe aktori Klod Hoxha, në seksionin e komenteve shprehet se nuk ka marrë një ftesë.