Çfarë po ndodh me patentat?! Drejtori Isaraj merr printer me qira për prodhimin e tyre

Tpz.al ka denoncuar prej disa javësh se sistemi i prodhimit të patentave është futur në kolaps. Shkak është bërë shtimi i elementeve të rinj në kartat e patentave dhe, për pasojë, duheshin printerë të tjerë për t’i printuar.

Drejtori i Transportit Rrugor, Arben Isaraj, hapi disa herë tenderin, qoftë edhe ndërkombëtar. Por deri tani ky problem nuk ka marrë zgjidhje, pasi në sportelet e DPSHTRr-së vijojnë radhët e gjata. Dhjetra qytetarë ankohen se kanë aplikuar për rinovim patente, por edhe pse duhet të respektohej afati 2-javor për marrjen e tyre, ata kanë pritur me muaj për tu pajisur me patentat e reja.

Në kulmin e debateve për këtë tender, pak ditë më parë qeveria dha rreth 2 miliardë lekë, jo për patentat, por për sistemin! Tpz.al publikoi dokumentet e atij tenderi, ndërsa ka siguruar edhe dokumente të tjera, për një tender që sërish nuk jep zgjidhje përfundimtare.

Bëhet fjalë për një tender për marrjen me qira të printerave, që do të mundësojnë printimin e patentave të reja. Sipas këtyre dokumenteve, kërkohet “marrje me qira të sistemit të personalizimit të prokateve ÇAP dhe të kartave të lejes së Re të Drejtimit”. Fondi për këtë tender është 76 milionë lekë të vjetra, ndërsa lekët do të paguhen nga fondi i vetë institucionit.

Tpz.al ka siguruar edhe dokumente të tjerë të këtij tenderi, ku kërkohet që sistemi i personalizimit që do të merret me qira nga DPSHTRR duhet të jetë i sigurt, pasi kartat të cilat do të personalizohen kanë një rëndësi të veçantë, sistemi duhet të jetë i shkëputur nga sistemet e tjera dhe komunikimi do të bëhet sikur të jenë dy njësi të pavarura edhe pse janë pjesë e DPSHTRR.

“Sistemi i personalizimit duhet te presë kërkesa nga sistemi i marrjes se te dhënave te qytetareve nga regjistri i lejeve te drejtimit, i quajtur eForm dhe nga eCAP për Certifikatën e aftësimit profesional si dhe te ofroje mundësinë e konfigurimit te kartave të lloje të tjera” thuhet në dokumente.

Sipas tij, sistemi duhet te jete multi-Karte dhe multi-makineri, përveç makinerisë e cila do te jete pjese e sistemit qe merret me qira, duhet qe sistemi te ofroje mundësinë e integrimit të disa makinerive që janë ne pronësi te DPSHTRr për përdorim në raste emergjente. “DPSHTRr parashikon që brënda afatit 6 muaj të personalizoje rreth 80,000 prokat lejedrejtimi dhe rreth 4000 CAP. Për këtë sasi operatori ekonomik duhet te marre përsipër edhe pjesët e këmbimit te makinerisë” thuhet në dokumente.

Mesa duket kjo është zgjidhja provizore që drejtori Arben Isaraj u ka ofruar qytetarëve të irrituar me pritjet për karton të patentës së re./TPZ.AL/