Shqiponja si provokim, FIFA nis procedurat disiplinore kundër Xhakës e Shaqirit

FIFA ka nisur procedurat disiplinore kundër Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit për shkak të mënyrës se si i festuan golat e tyre në fitoren e Zvicrës kundër Serbisë.

Bërja e Shqiponjës me duar nga Xhaka e Shaqiri është konsideruar nga serbët si provokim, prandaj FIFA tashmë ka nisur procedurat disiplinore kundër tyre.

FIFA hetimin e ka nisur pasi është ankuar Federata e Futbollit të Serbisë. Hetimi bazohet në thyerjen e Nenit 54 të kodit disiplinor të FIFA-s i cili “ndalon provokimin e përgjithshëm të publikut”, njofton Klan Kosova. Nisja e procedurave nga FIFA në asnjë mënyrë nuk nënkupton dënim për Xhakën e Shaqirin.

Pas hetimeve vendimi mund të jetë se asnjëri prej tyre nuk ka ofenduar askënd me rikrijimin e simbolit të flamurit shqiptar me duar.

Kujtojmë se njëjtë festoi edhe kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner, por nuk raportohet se procedurat kanë nisur edhe kundër tij.

Shqiponjën me duar ka edhe lojtarë të tjerë – që nuk janë shqiptarë për nga kombësia – që e bëjnë kur festojnë golat e tyre. Ndër më të famshmit është ish-sulmuesi francez, Nicolas Anelka.