Golat e Xhakës dhe Shaqirit, reagon Vuçiç: Jam i trishtuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar për ndeshjen e mbrëmshme midis Zvicrës dhe Serbisë, ku dy golat për Zvicrën u shënuan nga shqiptarët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Vuçiç është shprehur i trishtuar me humbjen e përfaqësueses së Serbisë në Botëror, teksa ka thënë se serbët nuk kanë ofenduar askënd, ashtu siç, sipas tij, bënë shqiptarët.

 “Kombi ynë është i bashkuar, i bashkuar edhe në trishtim dhe vështirësi, por ne nuk  fyem askënd, sepse e duam vendin tonë dhe nuk e urrejmë askënd. Ne do të mbështesim lojtarët tanë, ne besojmë në fitore në ndeshjen e ardhshme. Dhe, nëse nuk fitojmë, do të vazhdojmë ta duam ekipin tonë”, ka thënë presidenti Vuçiç.

Xhaka dhe Shaqiri kanë bombarduar portën e Serbisë, por edhe rrjetet sociale pas golave në fitoren e Zvicrës.

Heronjtë e Zvicrës, por edhe të gjithë shqiptarëve. Kështu konsiderohen Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka që shkëlqyen kundër Serbisë, duke shënuar nga një gol në fitoren 2-1 të Zvicrës, të cilët festuan duke bërë shqiponjën.