Vasili: Hapja e negociatave për Maqedoninë, asgjëson alibitë e dështimit të Ramës
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka akuzuar Edi Ramën si personin e vetëm përgjegjës për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Sipas Vasili, hapja e negociatave të Maqedonisë, eliminon çdo alibi të Edi Ramës.
Reagimi i plotë i Petrit Vasilit në Facebook:
Hapja e negociatave për Maqedoninë, asgjëson çdo alibi të dështimit të Edi Ramës.
Europa është pozitive pa asnjë hezitim dhe skepticizëm për hapjen e negociatave me Maqedoninë.
Megjithë problematikën shumë të komplikuar të Maqedonisë qoftë në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ku spikatnin problemet etnike dhe çështja e emrit, procesi i integrimit europian te saj ecën përpara dhe ajo e bind Europën.
Shqipëria pa asnjë nga këto probleme ka ngecur ne vend.
Ka ngecur se Kryeministri i saj si armik i egër i integrimit dhe i vendit te tij e molepsi vendin në çdo qelize me trafiqe, krim të organizuar dhe korrupsion.
E dërrmoi imazhin e vendit, e demoralizoi biznesin, i bëri shqiptarët të ikin me mijëra nga atdheu i tyre.
Maqedonia prej vitesh është ndër 10 vendet e para në botë si vend tërheqës për biznesin.
Shqipëria është dhjetëra vende larg dhe korrupsioni e kriminalizimi i ekonomisë nga milionat drogës dhe krimit largojnë qindra miliona euro investime dhe varfërojnë frikshëm shqiptarët.
Kjo është ditë shumë e rëndë për Shqipërinë.
Maqedonia me hapjen e saj të negociatave për anëtarësim në BE është dëshmia më tronditëse se sa kriminale, malinje, regresive dhe grabitqare është qeverisja e këtij kryeministri.
Asnjë alibi e asnjë lloji nuk e shpëton dot këtë kryeministër nga kjo damkë turpi që i vuri Shqipërisë ku përgjegjës është vetëm e vetëm ai.