Avokatët kundër: Vetting-u ndaj nesh antikushtetues

Gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve të projekt-ligjit për avokatinë, pas miratimit në parim të tij, propozimi i deputetit socialist Bashkim Fino për përjashtimin e magjistratëve që nuk kalojnë Vetting-un nga e drejta për marrjen e licencës së avokatit, la të hapur nenin përgjegjës për fitimin e këtij titulli.

“Kjo është një kinkaleri një luks që s’i duhet kujt në këtë situatë të tmerrshme të pandodhur ndonjëherë në të cilën është drejtësia shqiptare”, tha Çlirim Gjata, avokat për ABCNews.

Edhe pse diskutimi për këtë nen pritej brenda javës, thuajse një muaj më vonë nenet e hapura për diskutim të ligjit për avokatin ende nuk janë shqyrtuar nga ligjvënësi në komisionin përgjegjës, duke mbetur në trajtën e propozimit verbal, diskriminues ky sipas avokatëve Sajmir Vishaj dhe Andi Dura.

“E kundërshtoj me forcë, sepse nëse nuk do pranojmë ata që nuk kalojnë vettingun do të bjerë ndesh me parimin e diskriminimit që është parim kushtetues”, shprehet avokati Saimir Vishaj.

“Të kufizosh një kategori personash për të mos iu nënshtruar një provimi më duket jo normale. Mendoj që për aq kohë sa kemi të bëjmë me raste individuale edhe procesi duhet të jetë individual dhe jo i masivizuar, është mënyrë diskriminimi e fshehur”, shton avokati Andi Duraj.

Një paralelizëm vjen me vitet ’91 – ’92, kujton Çlirim Gjata, kur socialistët e kohës nuk mbajtën të njëjtin qëndrim kundrejt atyre që koha i dënoi, por ligji jo.

“Me të njëjtën logjikë u tha në ’ 91-‘92 për ata që kishin kryer krime të faktuara të nxjerra publikisht dhe u tha të mos lejoheshin të bëheshin avokat, partitë e majta i mbrojtën dhe ata vazhdojnë punojnë edhe sot. Ky që është përjashtuar për çështje financiare nga Vetting-u, avokat do punojë sepse atë profesion ka”m shprehet Gjata.

Kushtetua dhe ligji janë të qartë, theksojnë avokatët, edhe në përcaktimin e masave disiplinore pë rata që ngelin në një, apo të tre provimet e rivlerësimit, figurën, financat dhe profesionalizmin.

“Reforma në drejtësi është mbyllur dhe është vënë në ligj dhe kushtetutë madje dhe një vendim të KPA që të përjashton 15 vjet nga drejtësia, tani nëse vetë ligjet ta kanë sanksionuar 15 vjet, atëherë si mos punosh avokat, pra mund të rikthehesh prokuror ose gjyqtar dhe jo avokat?”, shton Çlirim Gjata.

Rastet përjashtimore të kujt e humb këtë të drejtë janë tashmë të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, sipas tyre.

“Për aq kohë sa është profesion i lirë dhe i vetë-rregulluar do të jetë vetë tregu ai që do ta bëjë diferencimin, aq më tepër që në ligjin aktual përcaktohen masat disiplinore kur përjashtohet avokati”, shprehet Dyuraj.

 “Sa kohë nuk ka një vendim të prerë për një vepër që cenon rëndë figurën e avokatit, ata prokurorë dhe gjyqtarë që nuk kalojnë Vetting-un kanë të drejtë të jenë avokatë. Në rastin konkret ata që nuk kalojnë Vetting-un kanë të drejtë të mos jenë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet, avokatia nuk është pjesë e sistemit të drejtësisë, por është shërbim”, shton Vishaj.

Kjo, sipas Saimir Vishajt, do ta bënte miratimin e këtij propozimi dhe sanksionimin e tij në ligj antikushtetuese. E pikërisht këtu del problem i rradhës…

“Problem është, a mund të jetë antikushtetuese, ku? Në cilën gjykatë? Ku ta gjejmë antikushtetutshmërinë?”, saktëson Gjata.

Avokati Gjata i referohet gjendjes jo funksionale në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuese prej muajit mars të këtij viti ku ankesat regjistrohen vetëm për t’u arkivuar më pas në pritje të përtëritjes së trupës së gjymtuar të gjyqtarëve kushtetues. Ndërkohë ligjvënësi pritet ende të përmbyllë diskutimin e ligjit për avokatinë, ku mbetet ende për tu parë nëse pjesa tjetër e mazhorancës do të mbështesë propozimin e deputetit Bashkim Fino.