FOTO/ Merr makinë me qira dhe bën aksident, shqiptari ja mbath

Një shqiptar është shpallur në kërkim në Itali, pasi ka shkaktuar një aksident automobilistik dhe është larguar nga vendngjarja.

Shqiptari 37-vjeçar, rezident në provincën e Firences prej vitesh, udhëtonte bashkë me një tjetër person me një makinë të marrë me qira.

Teksa ecte me shpejtësi 93 km/h, sipas regjistrimit të GPS, goditi një makinë tjetër dhe të dyja makinat dëmtuar edhe tri makina të tjera të ndaluara anës rrugës.

Në këtë moment, dy personat në makinën me qira e braktisën atë në mes të rrugës e u larguan, sipas dëshmive. Megjithatë, identifikimi i drejtuesit të mjetit nuk ishte i vështirë, pasi kompania e makinave me qira i dha policisë të gjitha të dhënat e tij. Tashmë është në kërkim dhe hetimet kanë nisur.

Për fatin e tij të mirë, nuk ka pasur viktima, ndërkohë që drejtuesi i mjetit tjetër ka marrë dëmtime të lehta.

Shqiptari përballet me akuzat e largimit nga vendngjarja dhe mosofrimi i ndihmës pas aksidentit. Përveç gjobave, rrezikon edhe tre vjet burg dhe heqjen e patentës për të paktën një vit e gjysmë.