Aktori i njohur: Kush nuk e do teatrin e ri, por problemi është tek territori

Pas qëndrimit të shprehur një ditë më parë nga artisti i njohur Robert Ndrenika, një tjetër ikonë e skenës së teatrit dhe filmit në Shqipëri, është shprehur pro një godine të re të Teatrit Kombëtar. Aktori Alfred Trebicka është i hapur për të diskutuar nëse Teatri duhet të rikonstruktohet apo rindërtohet nga e para, duke evidentuar se e rëndësishme është rruajtja e truallit të tij.

“Jam në dijeni të intervistës së Ndrenikës, dhe dua të them që në takimin me Kryetarin e Bashkisë gjëja kryesore dhe parësore që kam thënë ishte puna e truallit. Pastaj puna e ndërtesës: bëhet e re, restaurohet është opsion i diskutueshëm. E kam thënë gjithmonë. E gjithë kleçka e kësaj historie është trualli që të mos abuzohet me të. Biem dakord që të restaurohet apo ndërtohet kjo diskutohet. Problemi është trualli. Kush është ai që s’do një teatër të ri? Po problemi është tek territori. Nëse nuk cenohet ai… Edhe nëqoftëse bëhet teatri tërësisht i ri, pjesa e muzeut të teatrit duhet të ekzistojë se pastaj s’ka kuptim, hiq këtej e shemb andej. Nuk duhet të jemi radikal as nga njëri krah as nga krahu tjetër”, tha Trebicka.

Një ditë më parë edhe Robert Ndrenika pranoi se nuk ishte kundër ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

“Miku im, ka një keqkuptim të madh në gjithë këtë histori. E vërteta është se Robert Ndrenika nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një teatri të ri dhe dinjitoz. Ajo që unë kundërshtoj është tjetër gjë: është përvetësimi i asaj toke nga kushdoqoftë”, tha Ndrenika.