EMRI/ U kap me kokainë me vlerë 500 mijë paund, gjykatësi i ul dënimin shqiptarit në Britani

Një korrier droge, i cili u kap rrugës për në Birmingham me kokainë të cilësisë së lartë me vlerë 500 mijë paund, përfitoi ulje të dënimit. Gentjan Asllani u dënua nga gjykata e Birmingham me 7 vite e gjysmë burg, më 14 Shkurt të këtij viti.

Shqiptari 40-vjeçar u arrestua më 18 tetor të vitit 2016, pasi policia ndaloi një makinë në autostradë ku gjeti të fshehur 2 kilogramë kokainë. Asllani ndodhej i ulur në sediljen e pasagjerit ndërsa droga ishte fshehur nën ti. Ai i tha policisë së po i bënte nder një miku të tij duke ia transportuar drogën nga Londra në Birmingham. Sipas autoriteteve britanike secili bllok i kokainës kishte një vlerë prej 250 mijë paund.

Gjykatësi që e dënoi Asllanin tha se ai kishte luajtur një rrol të rëndësishëm si korrier. Babai i tre fëmijëve e pranoi akuzën për shpërndarje të drogës së klasit A. Megjithatë, mbrojtësja e tij ligjore, e kundërshtoi dënimin e dhënë duke thënë se ishte shumë i ashpër dhe së duhej ulur. Në seancën e zhvilluar këtë javë, gjykatësi i çështjes pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe vendosi uljen e dënimit për Asllanin nga 7 vjet e gjysmë, në 6 vjet.