Hirving Lozano, njihuni me meksikanin që mposhti kampionët e Botës

Gjunjëzoi gjigantët, drodhi qytetin e Meksikës dhe një shtet të tërë.

Hirving Lozano është “kukulla vrasëse” që Gjermania do ta mbajë mend gjatë.

Një “xhuxh” (1.75m) mes gjigantëve që i dha fund pathyeshmërisë së Gjermanisë në një ndeshje Botërori pas 2902 ditësh.

Shpesh për të rrëzuar më të fortët duhet fantazi. Por edhe shpejtësia e “Chucky”-t (nofkës) në ADN-në e tij.

Për këtë arsye mban nofkën e personazhit të famshëm kinematografik, pikërisht kukullës vrasëse, sepse konsiderohet një “vrasës” përpara porte: kundërsulm, stopim me të majtën, finte për të rihyrë dhe e djathta fatale që mposht Manuel Neuer, jo një dosido.

19 gola në sezonin e tij të parë me PSV-në, 11 asiste. Por një gol në Botëror është ndryshe. E ka ëndërruar që fëmijë, që kur fshihej poshtë krevatit për të trembur shokët e skuadrës.

Që në moshën 11-vjeçare kur u zhvendos nga Meksiko në veri. Me shumë vështirësi ia doli, edhe me ndihmën e Anitës, gruas që u martua përpara se të debutonte mes profesionistëve dhe që sot i dedikon çdo gol.

Debutoi në futbollin profesionist meksikan në 2014-ën dhe prej atëherë vetëm gola dhe asiste.

Prandaj në Holandë u transferua për 10 milionë euro, një shifër e paparë më parë në Meksikë.

“Nuk e di nëse kjo është fitorja më e madhe në historinë e Meksikës, por është një nga më të mëdhatë, pa dyshim. Është e shkëlqyer ta nisësh me këmbën e duhur, kundër kampionëve në fuqi. Është një rezultat i shkëlqyer që tregon punën e madhe. Është goli më i bukur që kam shënuar në gjithë jetën time.

Të gjithë ëndërrojmë të luajmë në Kupën e Botës dhe të startosh turneun në këtë mënyrë. Jemi të gjithë shumë të lumtur. Bëmë një punë të shkëlqyer, dhamë të gjithë zemrën për këtë rezultat”, tha 22-vjeçari, i cili u shpall lojtari i ndeshjes së djeshme me Gjermaninë.