‘Gjermania nuk di të reagojë’. Portieri legjendar kritikon ‘Pancerat’

Kritikat nuk kanë fund për Gjermaninë pas paraqitjes tepër zhgënjyese në ndeshjen kundër Meksikës, të humbur 1-0.

Legjenda e portës, Oliver Kahn, i është bashkuar komenteve negative për atë që skuadra e drejtuar nga Joachim Low tregoi ndaj meksikanëve.

Ai u përqendrua më tepër të kaosi i krijuar në mbrojtjen gjermane, jo vetëm në momentin e pësimit të golit.

“Sidomos në pjesën e parë, meksikanët i ekspozuan vazhdimisht problemet që ne kemi në mbrojtje, dhe që nuk i mësuam në këtë ndeshje, por diheshin që para nisjes së Kupës së Botës”, tha ish-portieri i Gjermanisë dhe Bayern Munchen për “ZDF”.

“Skuadra nuk di të reagojë siç duhet. Nuk është sekret që ne kemi probleme kur një skuadër luan në mënyrë aq kaotike siç bëri Meksika”, shtoi ish-gardiani i “Pancerave”.

Kahn nuk u kursye as në drejtim të dy lojtarëve të krahëve, Julian Draxler dhe Thomas Muller.

“Sami Khedira dhe Toni Kroos nuk ndihmohen aspak nga Draxler dhe Muller dhe kjo bën që ata, nga ana e tyre, të mos jenë në gjendje të japin ndihmën që pritet prej tyre në fazën mbrojtëse, duke lënë shpesh zbuluar Jerome Boateng dhe Mats Hummels”, theksoi Kahn.