Vasili: Vandalizmi intelektual i Rilindjes Urbane përpiu 400 milionë Euro, ndërsa për Teatrin... nuk ka!

Për Teatrin Kombëtar nuk gjenden lekë për qamet. Nuk ka asnjë mundësi qeveria e shkretë që të gjejë para për Teatrin, po nuk ka fare, fare nuk ka.
Ndërsa për të ashtuquajturën Rilindje Urbane, mbi 400 milionë euro janë bërë rrush e kumbulla deri tani dhe financimi vazhdon.
Po çfare po i rilind Shqipërisë kjo rilindje e abortuar? Ajo po i rilind injorancën, mediokritetin dhe
shkretimin kulturor. Sepse këtyre shkollëpaktëve u interesojnë vetëm pllakat e sokakëve, që i ndryshojnë dhjetëra herë që të vjedhin sa më lehtë paratë dhe jo Teatri.
Këta duan të akomodojnë injorancën e tyre tashmë të dukshme, të qartë dhe vetshkatërruese në projekte, që çimentojnë këtë injorancë.
Shkollëpaku me shokë harrojnë që edhe nga lashtësia nuk na kanë mbetur sheshet e sokakët por na kanë mbetur amfiteatrot madhështore, që u rezistuan mijëra vjetëve pasi shoqëria njerëzore vetem tek teatrot nuk kurseu të shpenzonte gjithçka, që lartësonte kulturën edhe në ditët më të vështira mes luftrash apo ditë zie buke.
Amfiteatrot e Butrintit dhe Durrësit janë akuza më e rëndë që vjen nga shekujt kundër injorantëve të shekullit të 21, që kanë pushtuar qeverinë me vandalizmin e tyre intelektual.
Po,po, këta armiq të kulturës dhe dijes në krye të qeverisë, si sekt i lindur nga injoranca dhe që po i ngrenë monument asaj, nuk mund të japin asnje lek për Teatrin, që do të ishte pasqyra ku fytyra e injorancës qeveritare do të dilte sheshit.