Politika për emigrantët rrezikon koalicionin e Merkelit

Kancelares gjermane, Angela Merkel po i vihet në pikëpyetje e ardhmja e saj politike pas një mosmarrëveshje të paprecedentë për politikën migratore të krahut më të djathtë të koalicionit të saj qeverisës, që kërkon masa më të rrepta në kufijtë.

Fakt i rrallë, Dhoma e Ulët e Parlamentit, Bundestag pezulloi seancën e tij në mesditë për të mundësuar takime për zgjidhjen e krizës mes deputetëve konservatorë, të përbërë nga njëra anë me kristianë-demokratë (CDU) të kancelares në pushtet prej më shumë se 12 vitesh, dhe të atyre të partisë bavareze CSU-së, të ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.

CSU-ja kërkon të detyrojë Angela Merkel, mjaft e kritikuar prej vendimit të saj në vitin 2015 për të hapur portat e vendit për më shumë se një milionë refugjatë, për të ashpërsuar politikën migratore, në një kontekst europian mjaft të tendosur për këtë çështje.

Vendimi i së dielës i kancelares për të bllokuar një projekt në këtë drejtim të ministrit të saj të Brendshëm u bë burim polemikash, përcjell Atsh.

Seehofer kërkon të kthejë azilkërkuesit që mbërrijnë në Gjermani nëse janë regjistruar nga një tjetër shtet në databazën e BE-së. Merkel refuzon dhe mbron tezën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse europiane.