Romir Zalla: Nga e premtja ‘radikalizohet’ protesta: aktorët të vendosur ta bëjmë si në ‘Rumani...’

Protesta e një grupimi të madh të aktorëve të Teatrit Kombëtar që janë kundër prishjes së godinës së këtij institucioni zgjat prej disa muajsh dhe vazhdon ende pa zgjidhje. Qeveria në llogoren e saj për ta prishur dhe për të ndërtuar një të ri po aty me disa kulla përreth, ndërsa a artistët të betuar se do ta mbrojnë deri në fund dhe nuk do të lejojnë që të prishet godina.

Por duket se edhe aktorët e kanë kuptuar protestat simbolike nuk po japin rezultat ndaj kanë vendosur të “radikalizojnë” hapat që do të ndërmarrin në ditët e ardhshme.     

Aktori Romir Zalla i pyetur në studion e “SYRI.net” se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme, është shprehur:

“Nga e premtja e më pas do të ndërmarrim hapa të tjerë. Nëse deri tani kemi dalë në protestë vetëm ditëve të hëna, në mënyrë simbolike, tani s’ka më vend për simbolikë....

Tani jemi detyruar të mësojmë si funksionojnë protestat, dhe mësova se në Rumani nuk qëndronin 1 milion vetë në shesh 24 orë, por një pjesë rrinin shesh, të tjerët vinin herë pas herë dhe nuk e lanë sheshin bosh për asnjë moment. Një mënyrë të ngjashme do të zgjedhim edhe ne, të qëndrojmë jo më vetëm një ditë në javë, por çdo ditë

Kemi një ftesë të hapur për të gjithë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të vijnë e të na mbështesin aty,  të gjithë pa përjashtim, shoqëria civile, gazetarë, mjekë, inxhinierë, etj., ata që e duan teatrin, por le të vijnë edhe ata që nuk e duan, sepse aty nuk ka protokoll... Mund të marrë fjalën dhe të flasë gjithkush dhe të thotë atë që mendon!”, përfundoi deklaratën e tij aktori Romir Zalla. / SYRI.net /