Shqipëria shitet me ligj të veçantë
Në dy muajt e fundit qeveria ka bërë dy ligje të jashtëzakonshme.
I pari, është ai që përcakton procedurën e veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
I dyti është ai "Për Përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negocim dhe Lidhjen e Kontratës per Realizimin e Projektit Urban dhe Godinës së re të Teatrit Kombëtar” me kompaninë Fusha.
Në të dy rastet transferohen asete publike në duar të privateve duke anashkaluar ligjin.
Për Aeroportin jepet ekskluziviteti i shfrytëzimit për 30 vjet. Në rastin e teatrit, transferohen 6 mijë metër tokë publike në qendër të Tiranës në duar të një kompanie private, që do të ndërtojë kulla.
Pse duhen ligjet e jashtëzakonshme?
Shqipëria nuk është as në luftë as në krizë humanitare.
Çfare e pengon qeverinë të hapë garë se ndoshta ka kompani të tjera që mund ta ndërtojnë teatrin me një kosto shumë më të ulet për qytetarët?
Po kështu edhe Aeroportin.
Ligjet e veçanta nuk janë asgjë tjetër vetëm ligjërimi i korrupsionit, që vjedhja e aseteve publike të mos prodhojë pasoja penale.
Thirret Parlamenti për të ligjëruar vjedhjen, që nesër ‘drejtësia e re’ të ketë justifikimin për të ndenjur duarkryq.