Haradinaj: Jemi gati për NATO, por e duam dhe KFOR-in në Kosovë

“Kosova synon t’i bashkohet NATO-s, për t’i ndihmuar jo veç vetes dhe rajonit, por edhe të gjithë të tjerëve. Kosova është e gatshme të kontribuojë për siguri dhe paqe në botë. Ky memorial është simbol që Kosova e ka vendosur për rrugën e vet drejt NATO. Ne e mirëpresim qëndrimin e përhershëm të KFOR-it në Kosovë”

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka thënë sot se se megjithëse Kosova e mirëpret qëndrimin e vazhdueshëm të KFOR-it, është e gatshme që ta ketë ushtrinë për të qenë pjesë e NATO.

Duke folur në ceremoninë e zbulimit të pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, ai ka deklaruar se memoriali është simbol i vendit në rrugën drejt aleancës veri-atlantike, shkruan Klan Kosova.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuochi, ka theksuar se pllaka memoriale për ushtarët e rënë në procesin e ndërtimit të paqes në vend tregon që kosovarët e çmojnë punën që ka bërë KFOR që nga vitin 1999.

“Jam i nderuar që jam këtu për të nderuar shokët tanë. Këta ushtarë vetëmohues nga vende të ndryshme erdhën në Kosovë për të sjellur paqen. Respekti për këta ushtarë të rënë tregon që rënia e tyre çmohet lartë”.