Rama flet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, prezanton një portal që nuk hapet

Edi Rama ka zgjedhur që të kujtojë 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duke shkruar një mesazh në faqen e tij në Facebook.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për shqiptarët anekënd botës, Rama ka menduar ta shfrytëzojë për të prezantuar një tjetër portal të ngritur nga qeveria e tij.

Ja çfarë shkruan Edi Rama në Facebook:

Sot përkujtojmë 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, mesazhi i së cilës kumbon i thjeshtë por domethënës, dje, sot e përgjithmonë: asnjëherë virtuti dhe aq më pak fati e kanë braktisur një Shqipëri të përbashkuar.

Kjo ditë na kujton gjithashtu se po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të Vitit të Skënderbeut, arritjet pa zhurmë dhe eventet unike të të cilit po zhvillohen anembanë kombit shqiptar në trojet e tij stërgjyshore dhe në diasporë.

Ju uroj një të diel të qetë në meditim të mesazheve madhore të tij dhe një kredhje në informacionin e bollshëm multimedial të faqes në internet të Vitit tonë mbarëkombëtar-https://vitiiskenderbeut.al