‘Pusho në paqe baba legjendar, të kam shumë borxh!’. Mesazhi prekës i djalit të Vokrrit
Gramoz Vokrri ka shkruar një mesazh mjaft emocionues për babanë e vet, legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, i cili vdiq dje nga një sulm në zemër.
Gramozi, njëri nga fëmijët e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka shkruar se Vokrri i kishte mësuar atij shumë gjëra më rëndësi në jetë.
Ai thotë se i ka shumë borxh ish-sulmuesit të Prishtinës, Partizanit dhe shumë skuadrave tjera.
Gramozi ka shkruar këtë status në Facebook:
“Të gjithë të njohin si legjendë, por unë të njoh si baba, si njeriun që më mësoi gjëra më rëndësi në jetë: respekt, humanizëm dhe punë.
Të kam aq shumë borxh!
Pusho në paqe baba legjendar!".
Ndërkohë, rezultatet e autopsisë së trupit të pajetë të Vokrrit, të publikuara sot, kanë konfirmuar se ai ka vdekur nga sulmi në zemër.