Vdiq sot/ Kush ishte 'Pele' i Ballkanit? Ja golat e Fadil Vokrrit

Futbolli në Kosovës është në zi.

Si pasojë e arrestit kardiak ditën e sotme u nda nga jeta presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Prishtina në ish-Jugosllavi ishte klub i fortë i futbollit, ndërsa Fadil Vokrri ishte një nga shtyllat kryesore.

Në videon më poshtë do të shikoni një moment kur Vokrri driblon më shumë se gjysmën e skuadrës duke na krijuar iluzionin e Messit apo të Maradonës.

Vetëm ndërhyrja e ashpër arriti ta ndalte ‘shpërthimin’ e tij i cili krijonte makth për çdo mbrojtje.

Sulmuesi kosovar ishte shpallur futbollisti më i mirë i vitit 1986 në ish-Jugosllavi madje gjatë atij viti ishte Juventusi që u interesua për të marrë shërbimet e tij.

Vokrri njihet për aftësitë e tij të jashtëzakonshme për të dribluar çdo kundërshtar ndërsa me goditjet me kokë ishte një “vrasës” i vërtetë duke u shndërruar në makth për portierët.

Por në videon më poshtë shikoni një tjetër mrekulli nga Fadil Vokrri i cili bën për të "vjellë" dy lojtarë dhe më pas lëshon këte silure.

 

Biografia e legjendës FADIL VOKRRI:

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës së tij. Ai e filloi karrierën e tij si futobollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi te KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit.

Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi.

Miroslav Blazevic, trajneri i KF Prishtina, e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak.

Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante dhe për Dinamo e Zagrebit.

Po në këtë periudhë (1984-1987) Vokrri isha anëtar i kombëtares shtetërore, për të cilin pati 12 paraqitje dhe 6 gola të shënuar. Më 14.10.1987, në stadiumin “Grbavica” të Sarajevës, Jugosllavia fitoi 3-0 përballë Irlandës së Veriut , në të cilën Fadil Vokrri shënoi dy supergola.

Ndërsa në vitin 1990 deri 1992 Vokrri luajti në kampionatin turk, duke qenë anëtar i Fenerbahçe (53 ndeshje 19 gola).

Ndeshja Fenerbahçe –Vitoria Giumares ishte zhvilluar në kuadër të javës së parë të Kupës së UEFA-së, edicioni 1990/1991, të cilën Fenerbahce, e drejtuar nga trajneri holandez Guuss Hiddink, me portierin gjerman Toni Schumacher në portë, e Fadil Vokrrin në sulm fitoi me rezultatin 3-0.

Golin e parë e ka shënuar Vokrri në minutën 34. Në ndeshjen e kthimit përsëri ka fituar Fenerbahçe me rezultat 3-2. Edhe në këtë ndeshje përsëri ka shënuar gol Fadil Vokrri dhe përsëri golin e parë, në minutën e gjashtë.

Katër vitet e fundit të karrierës së tij aktive si futbollist, Fadil Vokrri i kaloi në Francë, duke luajtur për Bourges (1992/93) dhe Montlucon (1993/95), ku edhe e ka përfunduar karrierën aktive si futbollist.

Fadil Vokrri i takon të ashtuquajturës “Gjenerata e Artë e Prishtinës” dhe nga po kjo gjeneratë si dhe nga shumë e shumë njohës dhe dashamirë të sportit në përgjithësi, e të futbollit në veçanti, Fadil Vokrri konsiderohet “legjendë”, një futbollist që i kaloi përmasat e një sulmuesi te zakonshëm.