Humbje e madhe tek Argjentina/ Dëmtimi e lë jashtë Botërorit

Përfaqësuesja e Argjentinës është e detyruar të bëjë një tjetër ndryshim në listën e të grumbulluarve për “Rusi 2018”, pas zëvendësimit të Sergio Romero me Nahuel Guzman.

Mesfushori i bardhekaltërve, Manuel Lanzini, ka humbur Botërorin për shkak të këputjes së ligamentit të jashtëm krociat në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së kësaj të premteje.

Lajmi është dhënë nëpërmjet Twitterit nga Federata Argjentinase e Futbollit.

Lanzini, që luan në Premier League me West Hamin, konsiderohej element shumë i rëndësishëm në formacionin e trajnerit Sampaoli.

Përveç Botërorit, Lanzini do të humbasë edhe një pjesë të mirë të sezonit të ardhshëm në Premier League. Zëvendësuesi i tij prite të mësohet së shpejti.