Platini hidhet në sulm: Në FIFA janë një tufë budallenjsh

Platini bën atë që dinte të bënte më mirë si futbollist, të sulmonte. Ai ka bërë një dalje publike pas disa kohësh në afërsi të Udines, në Itali, duke luajtur golf me miqtë.

“Jam mirë, tani po zbuloj jetën e një njeriu normal. Është e qartë që nuk kam vjedhur dhe nuk jam i korruptuar, ashtu siç thoshte një tufë budallenjsh në Komisionin e Etikës. Unë do t’i sulmoj”, shprehet Platini.

Ai gjithashtu vazhdon të argumentojë se të gjitha kanë akuza të sajuara ndaj tij.

“Të gjitha ishin idiotësi të FIFA-s ndaj meje. Ata që s’më njihnin menduan se unë isha bandit. Kam humbur 4 vjet nëpër komisione. Nuk dorëzohem derisa ata të pranojnë se nuk kam bërë asgjë kundër etikës”, vazhdon francezi.

“Procesi nuk ka përfunduar. Blater është ende në gjykim. Nuk kam folur kurrë me të kohët e fundit. A do të kthehem pas skualifikimit, që përfundon në tetor të 2019-ës? Zgjedhjet janë në qershor, kështu që nuk mund të shkoj.

Kam parë fytyrën e zezë të futbollit. Nuk e prisja. Iu futa kësaj pune për ta zhvilluar futbollin, për të zhvilluar fëmijët, jo për t’u mbrojtur. Nuk ka asgjë që nuk do të doja ta bëja. Kam bërë drejt gjithçka. Gjithçka u komplikua, kur Blatter, në Kongresin e UEFA-s në Paris tha: Është mandati im i fundit, më votoni! Pas 4 vjetësh do të jetë radha e Platinisë.

Për UEFA-n dhe FIFA-n nuk më bëhet vonë. Më vjen keq vetëm për faktin se shikimi i njerëzve ndaj meje kishte ndryshuar. Më shërbeu për autokritikë. Mendoja se isha i rëndësishëm. Njerëzve nuk u plas për presidentët, atyre u interesojnë Mesi, Ronaldo, Ibra. Tani mund të jetoj si një njeri normal.

Fair-play? Shpëtova futbollin nga falimentimi. Një FIFA elegante dhe kurajoze do të bënte diçka për mua”, deklaroi Platini.