Arber Hajdari: Ja si i zbulova 6 motrat jetime që kishin mbetur mes katër rrugëve

Drejtuesi i ‘Fundjavë Ndryshe’, Arbër Hajdari, është shprehur të martën se për dy vite janë mbledhur rreth 3.5 milion euro donacione për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Hajdari tha në studion e emisionit Opinion se biznesi privat është një nga aktorët kryesorë që ndihmon të tilla familjesh edhe pse në vendin tonë nuk mund të flitet për solidaritet të strukturuar si nga shteti, po ashtu edhe nga biznesi.

Emisioni ‘Opinion’ i ka kushtuar një emision të veçantë për fëmijët në nevojë. Rasti kyç sonte ishte edhe tragjedia e 6 motrave që mori një vëmendje të madhe nga transmetimi i një kronike në fillim të emisionit një javë më parë.

Historia

Në fshatin Surroj, rreth 1 orë larg qytetit të Kukësit, jetonin 6 motra që kanë mbetur jetime.

Fati i mori babain 6 vite me pare, dhe nënën përpara 3 muajsh. Që nga ajo ditë, këto vajza jetime humbën kujdesin dhe dashurinë prindërore, shtëpinë, të drejtën për t’u shkolluar dhe mundësinë për të jetuar një jete normale.

Besarta është 15 vjeç dhe njëkohësisht motra e madhe. Ajo është ende e traumatizuar nga humbja e te dy prindërve dhe shtëpisë.

Motrat me te vogla, Doruntina dhe Dashamirja janë 7 vjeç. Ato sapo kishin filluar klasën e pare, por u detyruan ta lënë përgjysmë 3 muaj me parë për shkak të fatkeqësisë që i ndodhi.

Ajo që kërkojnë këto vajza është e thjeshtë: një vend që të mund ta quajnë “shtëpi” nga ku askush nuk mund t’i përzëre, një shkolle që ta frekuentojnë pa e ndërprerë, ushqim dhe dashuri nga çdokush që mund të dhurojë.