Pogba shpërthen ndaj kritikëve: Nuk mund të më tregoni si të luaj!

Paul Pogba reagon ndaj kritikëve për stilin e tij të lojës, por edhe për mënyrën e jetesës.

Mesfushori francez në karrierën e tij ka humbur disa finale të rëndësishme, si me Juven (Championsin në 2015) dhe me Francën (Euro 2016), ndërsa eksperienca e tij te Manchester United nuk po i përmbush pritshmëritë.

Pogba ka mbrojtur stilin e tij, duke argumentuar se ka bërë të njëjtat gjëra gjatë periudhave të suksesit.

“Unë kam qenë gjithmonë kështu. Kur kam fituar, e kam bërë duke qenë vetvetja. Ju nuk besoj se do ta kritikoni Messin, kur nuk vrapon shumë në fushë. Nëse shënon tre gola, do të thoni: Ah, por ai po ecën në fushë? Jo. Nuk mund të më tregoni mua si të luaj. Askush nuk më ka thënë se si duhet të sillem. Ky është futbolli im, kjo është e gjitha. Njerëzit mund ta pëlqejnë, ose jo”, tha mesfushori.

Pogba shtoi më tej se nuk i intereson çfarë thonë kritikët, por njerëzit që e mbështesin në atë që ai bën.

“Unë nuk e vras shumë mendjen për atë që njerëzit mendojnë. Gjithkush ka mendimin e tij dhe e respektoj. Unë luaj futboll, bëj atë që më pëlqen. Të afërmit e mi më mbështesin, ata janë më të rëndësishmit. Do të ishte përsosmëri nëse të gjitha na duan, por asgjë nuk është e përsosur në këtë botë”, shtoi ylli i Manchester United.

Pogba dhe Franca e nisin Kupën e Botës më 16 qershor, kundër Australisë, në Grupin C. Më pas “Gjelat” do të përballen me Perunë, më 21 qershor, për t’i mbyllur ndeshjet në grup më 26 qershor, kundër Danimarkës.