Duka motivon kuqezinjtë: Mos e ktheni kokën pas, luani siç i ka hije Shqipërisë!

Në një takim të organizuar para miqësores me Ukrainën, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe trajneri Christian Panucci kanë mbledhur ekipin në Francë, duke i kërkuar të harrojnë paraqitjen me Kosovën dhe të shohin përpara.

Duka ka mbajtur një fjalim para ekipit, ku ka thënë: “Nuk bëmë një paraqitje të mirë kundër Kosovës dhe kjo ndoshta ua bën pak më të vështirë ndeshjen me Ukrainën, por duhet të tregoni se dini të kapërceni edhe momente të vështira.

Me Ukrainën duhet të tregoni se dini të reflektoni. Mos e mbani mendjen më te Kosova. Gjatë stërvitjes ju kam parë të angazhuar dhe dëshiroj që atë impenjim ta përktheni edhe gjatë ndeshjes me një paraqitje dinjitoze!

Ndeshjet fitohen dhe humben, por të paktën duhet të rikthehemi të luajmë siç i ka hije Shqipërisë!

Një kërkesë kam: mos e ktheni kokën pas. Luani me dinjitet dhe dëshirë! Kam besim tek ju”.