'Zanat' me perlat burimore shqipe këndohen në Beograd

Gjysmën e fjalëve i përdor në gjuhën shqipe e në vend të atyre që nuk ia merr mendja se ia del t’i shqiptojë, fut në përdorim gjuhën angleze. Por synimi i tij është që gjithsesi, të arrijë të hyjë në sallën ku do të nisë koncerti.

Djaloshi i gjatë, Luka Breberima, që shoqërohet nga mikja e tij, për herë të parë do të dëgjojë një koncert të përcjellë me muzikë shqipe, shkruan sot Koha Ditore.

Por këtë nuk është se ia ka arritur lehtë. Fillimisht i është dashur të kalojë kordonin e policisë nja 70 metra para se të arrinte te porta e Qendrës për dekontaminim kulturor në Beograd. Më pas, para hyrjes në objekt, është dashur të sqarojë prapë se cili është qëllimi i tij, të kontrollohet nëse mbart ndonjë gjë të rrezikshme e më vonë të marrë “vizën” për të hyrë brenda.

Breberima, student i nivelit master në dizajn grafik, flet me admirim për muzikën popullore shqipe.

Ende pa filluar koncerti i ansamblit “Zánat”, të enjten, në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ai ka treguar se në vitin 2008, në Ohër të Maqedonisë, kishte hasur në një CD të “Sofrës pejane”. Pasi e kishte blerë dhe kishte nisur ta dëgjonte, muzika shqipe e kishte prekur shumë. Që atëherë vazhdimisht dëgjon këngë e melodi shqipe. Ka përmendur Ismet Pejën e Ramadan Krasniqin. E me të dëgjuar se këngë burimore shqipe do të këndohen gjatë festivalit, Breberima kishte vendosur që të mos e humbiste rastin.