Botërori 2026, kandidaturat e Marokut dhe treshes amerikane kalojnë testin para votimit të 13 qershorit

Kandidatura e Marokut për organizimin e Kupës së Botës 2026 e ka kaluar inspektimin e FIFA-s, por tri fusha të kandidaturës janë konsideruar me “rrezik të lartë”.

Vendi afrikanoverior konkurron kundër kandidaturës së përbashkët të SHBA, Kanadasë e Meksikës dhe vendimi do të merret në votimin e 13 qershorit, njofton BBC.

Maroku mori 2.7 pikë nga pesë të mundshme në testin e FIFA-s, ndërsa kandidatura e përbashkët e tre vendeve të tjera mori katër, pa zona të “rrezikut të lartë”. FIFA bëri të ditur se nga 14 stadiumet e prezantuar nga Maroku nëntë nuk janë ndërtua ende, ndërsa pesë të tjerët "kërkojnë rinovim domethënës dhe përmirësim”. Vetëm 2 nga 14 stadiumet konsiderohen se kanë “nivel të mjaftueshëm akomodimi”, duke arritur në një konkluzion të dytë “rreziku të lartë”. Edhe një fushë e tretë e analizës, akomodimi dhe transporti të kombinuar së bashku, u konsideruar si me “rrezik të lartë”. Megjithatë, grupi i punës i FIFA-s bëri të ditur se ka marrë “garanci të forta nga qeveria” që deklaron se, deri më 2026 , 12 qytetet pritës në Marok do të kenë mjaftueshëm dhoma hotelesh.

Kandidatura amerikanoveriore nuk kishte ndonjë zonë të rrezikutr të lartë, por ka tre të nivelit mesatar: përkrahjen qeveritare, të drejtat e njeriut e standardet e punës dhe kostot e organizimit. Në çështjen e të drejtave të njeriut u morën në konsideratë rregullat e reja të propozuara nga SHBA që mund të dëmtojnë “hyrjen pa diskriminim” në vend. FIFA do ta kishte skualifikuar Marokun sikur të kishte marrë më pak se dy pikë në testin e përgjithshëm. Të dyja kandidaturat duhet të aprovohen në një mbledhje më 10 qershor, para se të votohen nga 207 anëtarët e FIFA-s tri ditë më pas. Maroku ka bërë të ditur se duhet të investojë thuajse 16 miliardë dollarë për infrastrukturën për botërorin e parë me 48 skuadra, ndërsa kandidatura tjetër nuk ka nevojë për ndonjë ndërtim specifik për Kupën e Botës.

Vendi afrikan ka konkurruar edhe katër herë të tjera pas sukses, më 1994, 1998, 2006 e 2010, me këtë të fundit që shkoi në Afrikën e Jugut. SHBA e ka organizuar turneun më 1994 dhe konkurroi pa sukses për vitin 2022, ndërsa Meksika ka organizuar botërorin 1970 dhe 1986. Ky i fundit duhej të organizohej nga Kolumbia, por arsyet kryesisht ekonomike bënë që të hiqte dorë më 1982 dhe rivotimi më 1983 i dha të drejtën e organizimit Meksikës.d.i/SYRI.NET