Trump: Takimi me Kim Jong Un do të mbahet në Singapor siç ishte parashikuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se takimi i tij historik me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të mbahet në 12 qershor në Singapor.

Ai konfirmoi se do t'i përmbahej planit të mëparshëm mbi takimin, pas bisedimeve të bëra në Uashington me Kim Yong Chol, nënkryetarin e Partisë në pushtet të Koresë së Veriut.

Si pjesë e takimit në Zyrën Ovale, Kim Yong Chol i dorëzoi Trump-it një letër personale nga Kim Jong Un. Ai është zyrtari më i lartë i Koresë së Veriut që ka vizituar Shtëpinë e Bardhë gjatë 18 vjetëve.

Trump-i anuloi samitin e Singaporit javën e kaluar, duke cituar "armiqësinë e hapur" nga ana e Phenianit, njofton CRI. Megjithatë, ai e rivlerësoi vendimin e tij një ditë më vonë, pasi Pheniani njoftoi se është gati të ulet në bisedime me Uashingtonin "në çdo kohë" dhe në "çdo mënyrë", për të zgjidhur problemet që ekzistojnë midis dy palëve.