Duhanpirja në publik, lokalet e gjobitura mbi 3 herë, do të mbyllen

Të gjitha subjektet që do të gjobiten më shumë se tre herë për një periudhë të shkurtër kohe për shkak të shkeljes së ligjit anti-duhan do të përballen me mbylljen e aktiviteti.

Ky është edhe një nga propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila po parashikon ndryshime ligjore për përmirësimin e ligjit që ndalon duhanin në ambientet publike. Deklarata ka ardhur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në kuadër të ditës Botërore Kundër Duhanit.

“Kemi mbledhur komitetin ndërministror për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe tashmë kemi propozime konkrete për ta bërë më efikas ligjin që ndalon duhanpirjen, edhe për ta përshtatur atë me fenomene të reja që deri tani nuk janë adresuar, si përdorimi i cigares elektronike apo shisha-barit. Gjithashtu do të propozojmë që ato për ato subjekte që gjobiten mbi 3 herë për një periudhë të shkurtër kohe, të bëhet mbyllja e aktivitetit”, deklaroi Manastirliu.

Sipas saj, janë intensifikuar kontrollet për shmangien për pirjen e duhanit në ambientet publike, duke shtuar se vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti janë realizuar 15 761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë dhe janë marrë 134 masa administrative, njofton scan.tv.

“Vetëm në muajt e parë të këtij viti, u realizuan 15.761 kontrolle nga inspektorët e shëndetësisë, aq sa janë kryer gjatë gjithë vitit 2017. Janë marrë 134 masa administrative, çka tregon për një zbatueshmëri të mirë të ligjit anti-duhan”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, pritet që brenda muajit qershor të miratohen edhe imazhet që do të kenë paketat e duhanit në Shqipëri, të cilat do të përfshijnë “sëmundje të tmerrshme” që shkaktohen nga duhani.