Policia në aeroport i sekuestron shqiptarit 58,000 dollarët e fshehur në trup, ai e hedh në gjyq

64-vjeçari shqiptar nga Cleveland, Ohio po udhëtonte për në Shqipëri, me 58,000 dollarë në çantë. Pas një kontrolli trupor, oficerët e doganave dhe kufirit, në aeroport ia konfiskuan paratë. Rustem Kazazi tani po e hedh në gjyq se kanë shkelur të drejtat e tij kushtetuese.

Ligji kërkon që çdo kalim kufiri me shuma mbi 10,000 dollarë, para të holla, duhet të deklarohen zyrtarisht në doganë.

Refuzimi për t’i deklaruar mund të çojë në gjobitje, sekuestrim parash, përndjekje ligjore etj.

Mirëpo, shqiptari nga Ohio, ka hedhur në gjyq autoritetet e doganave dhe kufijve me arsyetimin se shuma e marrë nuk korrespondon me atë të deklaruar, se atij i është refuzuar shërbimi i përkthimit në shqip dhe është keqkuptuar në shpjegim, dhe se arsyetimi që sekuestrimi është bërë për arsye shplarje parash apo trafik është pa themel.

Nëse është trafikant apo spastrues parash, atëhere Rustem Kazazi thotë se shteti duhet ta padisë si të tillë. Nëse jo, atëhere duhet t’ia kthejë paratë që ia ka sekuestruar pa të drejtë.
Rustem Kazazi ka qenë officer policie në Shqipëri dhe ka ardhur në SHBA me llotari bashkë me gruan dhe djalin. Ai thotë se paratë janë kursime të këtyre 10 viteve dhe se nuk i kishte transferuar nëpërmjet bankave nga frika e kriminalitetit në Shqipëri dhe tarifat e larta të transfertës bankare. (r.a./Illyria)

Shkrimin e plotë në anglisht mund ta gjeni këtu nga Washington Post: https://www.washingtonpost.com/news/wonk/wp/2018/05/31/a-64-year-old-put-his-life-savings-in-his-carry-on-u-s-customs-took-it-without-charging-him-with-a-crime/