Dosja ‘Habilaj’, ja çfarë ndodhi sot në Katania, Moisiu kërkon gjykim të shkurtuar

Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri pranon të gjitha akuzat dhe kërkon gjykim të shkurtuar që të përfitojë uljen e dënimi. Por pavarësisht kërkesës, vendimi pritet të merret në seancën e shtatorit, kur do të nisë vërtetë gjyqi ndaj ‘Bandës Habilaj’.

I dobësuar, me një fytyrë të mërzitur, një t-shirt të stinës, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka dhënë puthje të shumta nga pas hekurave, për familjarët e tij që ndodheshin në sallën e gjyqit në Katania.

Moisi Habilaj është rikthyer sot në sheshin ‘Giovanni Verga’ për të marrë pjesë në seancën paraprake të procesit ndaj tij dhe 13 personave të tjerë të vënë në pranga gjatë operacionit ‘Rosa dei venti’.

Ndaj kushëririt të ish-ministrit Tahiri është ngritur akuza e ‘organizatës kriminale’ dhe ‘ trafikut ndërkombëtar të drogës’ në rrugën Shqipëri-Katania. Një biznes miliona eurosh, që kishte ulur në tavolinë edhe grosistët lokalë italianë, në lidhje me furnizimin me drogë të mafias.

Së bashkua me Habilajn, pas hekurave ishte edhe Merdian Sulaj dhe Antonino Riela. Në publik të përzier me ta ishin edhe dy të pandehur të tjerë, Fatmir Minaj deh Angelo Busaça, ky i fundit me origjinë nga Ragusa.

Të 14 të pandehurit kanë vendosur që të kërkojnë gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është marrë nga gjykatësja Maria Cardillo. Nëse do të pranohet kjo kërkesë, atëherë të pandehurit do të përfitonin uljen e 1/ 3 së dënimit. Por vendimi për këtë kërkesë të mbrojtjes do të jepet në 26 shtator 2018, datë kur është vendosur edhe seanca tjetër.

Në dosjen e prokurorit italian, Andrea Bonomo mësohet se është futur edhe hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë dhe dëshmitë që prokurorët Besim Hajdarmataj e Vladimir Mara i kanë marrë Moisi Habilajt, Nazer Seitit dhe Meridian Sulaj, vetëm dy ditë më parë.

Dy prokurorët shqiptarë ndodhen në Katania për llogari të hetimit që po zhvillohet në Shqipëri nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëriri i Habilajve. Emri i Tahirit ka dalë shumë herë gjatë bisedave që policia italiane u ka përgjuar Habilajve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjatë hetimit për operacionin ‘Rosa dei venti’.

Në kërkim është ende Florian Habilaj, ndërsa nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi Nazer Seiti.

Ky i fundit mbahet edhe si financieri i grupit të Habilajve. Seiti u prangos në Vlorë disa muaj më parë dhe u ekstradua në mënyrë të çuditshme në Itali, nga ana e ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Ekstradimi i Seitit në Itali, ndërsa ndaj tij është hapur një hetim në Shqipëri, ka sjellë polemika të shumta në vendin tonë, ndërsa të shumta kanë qenë akuzat politike të bëra nga opozita drejt Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

 Seiti aktualisht nuk ndodhet në burgun e Katanias si pjesa tjetër e organizatës kriminale, por është në Romë në burgun e Rebibbia-s.

Marrë nga meridionews.it-Përgatiti: SYRI.net