Rruga Deçan – Plavë do të bëhet, të ndalen ndikimet e Beogradit

“Punimet në rrugën Deçan- Plavë, janë duke vazhduar sipas planit dhe kontratës operatori ekonomik është duke rindërtuar rrugën Deçan - kufiri me Malin e Zi. Qytetarët serbë, e as objektet e subjektet fetare në Kosovë nuk duhet të veprojnë me kokën e Beogradit zyrtar, sepse kjo në jetën e përditshme të tyre iu nxjerrë vetëm pengesa në integrimin e tyre në Kosovë”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me komunën e Deçanit më 24 prill të këtij viti, kishin mbajtur ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Deçan- Plavë.

Mirëpo, këto punime janë ndërprerë javën e kaluar për të rifilluar përsëri,  pas reagimit të kishës ortodokse serbe në Kosovë dhe të misioneve ndërkombëtare në vend.

Një pjesë e kësaj rruge që ka filluar të ndërtohet një muaj më parë, kalon afër Manastirit mesjetar të Deçanit, që është edhe zonë e mbrojtur me ligj të veçantë, që është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2008.

Sava Janjiq, Igumen i Manastirit të Deçanit është shprehur kundër fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës magjistrale që lidh Kosovën me Malin e Zi, nga Deçani deri në Plavë.

Lekaj: Të mos veprohet me kokën e Beogradit

Mirëpo, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shprehur se ndërtimi i rrugës që lidhë Deçanin me Malin e Zi, është duke u zhvilluar pa e "cenuar" zonën e mbrojtur.

Zona përreth manastirit të Deçanit ka nxitur vazhdimisht mospajtime ndërmjet autoriteteve lokale dhe autoriteteve të manastirit, posaçërisht për çështjen e pronave, ndërkaq ministri Lekaj ka treguar për  “Bota sot”, se punimet janë duke u vazhduar sipas planit.

Lekaj, ka thënë se qytetarët serbë dhe as objektet fetare në Kosovë nuk duhet të veprojnë me kokën e Beogradit, sepse kjo iu nxjerrë vetëm pengesa në integrimin e tyre në Kosovë.

“Punimet në rrugën Deçan- Plavë, janë duke vazhduar sipas planit dhe kontratës operatori ekonomik është duke rindërtuar rrugën Deçan - kufiri me Malin e Zi. Qytetarët serbë, e as objektet e subjektet fetare në Kosovë nuk duhet të veprojnë me kokën e Beogradit zyrtar, sepse kjo në jetën e përditshme të tyre iu nxjerrë vetëm pengesa në integrimin e tyre në Kosovë. Si institucione të Republikës së Kosovës, po bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë, pa diskriminim që të jemi afër secilit komunitet”, është shprehur Lekaj për “Bota sot”.

Por, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, thotë se është takuar me homologun e tij malazez dhe kanë diskutuar këtë projekt.

Kurse, çështja e Manastirit e Deçanit është e brendshme dhe ashtu duhet të trajtohet.

“Ne e kemi diskutuar këtë projekt me homologun malazez edhe në takim me kryeministrin, vetëm si investim që Kosova po e bënë për të afruar qytetarët e dy vendeve tona. Por, kjo me Manastirin e Deçanit, është çështje e jona e brendshme dhe si e tillë është trajtuar. Mali i Zi përmes ministrit Nurkoviç shfaqi gatishmërinë që të investojë në atë pjesë ku lidhet pastaj me rrugën që po e rikonstruktojmë ne”, ka pohuar Lekaj për “Bota sot”.

Vazhdimi i punimeve dhe mos pengimi nga ana e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, ishte kërkuar nga autoritetet në Kosovës, kurse deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, thotë se rruga tashmë ka filluar të ndërtohet në zonën e pambrojtur.

Kadriaj përmend të mirat nga rruga

Kadrijaj, ka pohuar se rruga shkurton rrugëtimin e gjatë të udhëtarëve dhe  ndikon në zhvillimin ekonomik të Deçanit, ndërkaq problemet tjera janë probleme politike.

“Rruga ka filluar të ndërtohet jo në zonën e mbrojtur, por në zonën e pambrojtur. Realisht janë hapur punimet kam qenë edhe vetë prezentë, ajo është zonë e veçantë, problemet tjera janë probleme politike. Ajo është rrugë nacionale që ndihmon prosperitetin e të dyja vende, që shkurton rrugëtimin e gjatë edhe të udhëtarëve, ndikon dukshëm në zhvillim ekonomik, sepse ajo pjesë e Deçanit konsiderohet që pjesë malore dhe një pjesë që ka të gjitha të mirat e zhvillimit të turizmit. Rruga për Manastir janë të gjitha politike dhe prononcimet edhe të atij kryetarit dhe kryetarit të komunës së Deçanit, janë pajtuar që punimet të vazhdojnë. Ajo nuk është një rrugë e re, ajo ka qenë më herët, ka ekzistuar dhe ekziston dhe përmes asaj qytetarët e Deçanit, pastaj kanë prona, kanë bjeshkë të ndryshme, sidomos gjatë sezonës së verës sepse njerëzit shfrytëzojnë kapacitetet malore duke shkuar dhe duke qëndruar për muaj të tërë. Ndërkaq, rruga Deçan- Plavë, nuk shkon për Pejë por fillon mbi sistemin e gjashtë, pra mbi zonën e mbrojtur”, ka treguar Kadrijaj për “Bota sot”.

Zona përreth manastirit të Deçanit ka nxitur mospajtime edhe në të kaluarën.

Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e Kosovës, i njohu manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë, që sipas zyrtarëve të komunës së Deçanit, janë pronë e dy ndërmarrjeve publike. Ata pohojnë se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

Kurse, analistët politikë thonë se rruga Deçan- Plavë është një ndërlidhje shumë e rëndësishme, ndërkaq Serbia po përpiqet ta përdor Manastirin për shantazhe.

Analisti politik, Skender Zogaj, thotë se raportet Kosovë- Mal i Zi janë më të mira se kurdoherë, prandaj duhet kujdes dhe ruajtje e këtyre raporteve.

Shqiptarët për Manastirin janë kujdesur më shumë se vetë serbët

Zogaj nuk beson që mund të ketë probleme teknike ndërtimi i rrugës Deçan- Plavë.

“Raportet e Kosovës me Malin e Zi janë më të mira se kurdoherë tjetër, prandaj kujdesi për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të mira duhet të jetë maksimal, sidomos nga pala kosovare, sepse Mali i Zi ka dëshmuar dëshirën e plotë për një epokë të re ndërmjet dy vendeve. Rruga Deçan - Plavë është një ndërlidhje shumë e rëndësishme, prandaj nuk besoj se mund të ketë telashe qëllimesh subjektive, por mund të ketë telashe teknike, të cilat janë të kapërcyeshme. Është krejtësisht tjetër çështja e Manastirit që Serbia si në të kaluarën po përpiqet që ta përdor për qëllime të shantazhit të Kosovës, edhe pse dihet botërisht, se shqiptarët për Manastirin janë kujdesur më shumë se vetë serbët, sepse Manastiri pronë dhe është vlerë historike e Kosovës”, ka shtuar Zogaj.

Reagimet e mëhershme

Ndryshe, në një postim në Facebook, Sava Janjiq, Igumen i Manastirit të Deçanit, ka shkruar se Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe tashmë u ka bërë të ditur përfaqësuesve të BE-së, OSBE-së, KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës se kanë filluar “jashtëligjshëm” punimet në këtë magjistrale.

Reagime ndaj punimeve në rrugën Deçan- Plavë, kishte nga Misioni Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë duke u shprehur se janë duke ndjekur me shqetësim ndërtimet në atë rrugë, duke nënvizuar se çdo punë në rrugë brenda Zonës së veçantë të Mbrojtur duhet të rregullohet nëpërmjet Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit ndërsa bënë thirrje për zgjidhje të pranueshme nga të dy palët në përputhje me ligjin e Kosovës dhe angazhimet ndërkombëtare.

Qëndrimin e misionit të OSBE-së e ka përkrahur edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social tëitter ka thënë se Shtetet e Bashkuara pajtohen plotësisht me komunikatën e OSBE-së.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, tha se “është me rëndësi të madhe që ligji për Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit të respektohet rreptësisht dhe çdo veprim i mundshëm të miratohet nga Këshilli i Zbatimit dhe Monitorimit”.