Procedimi për administratën e portit Durrës, blenë zjarrëfikëse pa mjetet shpëtuese, detaje të reja

Pasditen e djeshme u bë e ditur se Drejtoria Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit dhe Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës kanë nisur procedimin penal për 10 zyrtarë të Autoritetit Portual Durrës, për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje e barazisë në tendera’’.

Detaje të reja dalin në dritë për 10 personat me funksione të rëndësishme në Autoritetin Portual Durrës, më i rëndësishmi prej të cilëve, ish-drejtori ekzekutiv Aleksandër Lipivani.

Sipas grupit të hetimit, zyrtarët e Portit të Durrësit blenë 60 milion lekë (të rinj) mjetin zjarrfikës, të cilit i mungonin mjetet shpëtuese kundra zjarrit. Mjetit super të shtrenjtë i mungonin pjesë të ndryshme si kazma, lopatat, kaskat dhe mjete të tjera që shërbenin për fikjen e zjarrit.

Pra, drejtuesit e Autoritetit portual Durrës blenë një mjet që nuk ishte në funksion, shkruna fax web.

“Ish-drejtuesit e autoritetit Portual Durrës, të cilët po ndiqen penalisht pasi gjatë ushtrimit të detyrës janë përfshirë në veprime të kundra-ligjshme gjatë zhvillimit të tenderit për blerje të automjetit zjarrfikës, auto-ambulance dhe mjeti zjarrfikës.

Ekspertimi i kryer në lidhje me ofertat e paraqitura për 3 lote të tenderit, ka dokumentuar se ofertat nuk ishin të rregullta dhe janë hartuar nga i njëjti operator ekonomik. Ndërsa në lotet për blerjen e mjeteve auto-ambulancë dhe zjarrfikës, rezulton se mungojnë pajisjet shtesë dhe shpëtuese kundër zjarrit”,-sqaroi prokuroria.

Hetimi ka provuar gjithashtu se kërkesa për këto mjete ishte e paargumentuar, nisur nga domosdoshmëria për to. Gjithashtu është dokumentuar se nuk ishte kompetencë e këtyre Drejtorive, përcaktimi i fondit për blerjen e automjeteve, fakt që ngarkon me përgjegjësi titullarin i institucionit.

Duke vijuar më tej me tenderat, ka dyshime të dokumentuara se specifikimet teknike nuk kanë krijuar kushte për barazi dhe prishën konkurrencën në procedurën e prokurimit publik. ndërkohë, vazhdon puna për identifikimin e zyrtarëve dhe personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Të proceduarit janë:

Aleksander Lipivani, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, ish-Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës.

Stavri Tagani, 58 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, me detyrë ekonomist në Drejtorinë Ekonomike, Autoritetin Portual Durrës.

Naim Hoxha, 61 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Inxhinier mekanik në Sektorin Operativ dhe Mjeteve Teknike në Autoritetin Portual Durrës.

Lumturi Koka, 51 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, ekonomiste në Sektorin e Terminalit Perëndimor në Autoritetin Portual Durrës.

Erion Keçi, 33 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Jurist në Sektorin e Prokurimeve Publike në Autoritetin Portual Durrës.

Joana Ramadani, 35 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës, Juriste në Sektorin e Prokurimeve Publike në Autoritetin Portual Durrës.

Arian Myderrizi, 53 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, ish-Jurist në Sektorin e Prokurimeve Publike në Autoritetin Portual Durrës.

Auert Koka, 36 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Autoritetin Portual Durrës.

Shefqet Xhixha, 55 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë, ish-Zëvëndësdrejtor i Forcës së Sigurisë në Autoritetin Portual Durrës.

Ylli Kërtusha, 66 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Ish-Specialist i blerjeve të vogla.