Media zvicerane: Shqiptarët kundër shqiptarëve, aty ku fituan të gjithë!

Në stadiumin e Zyrihut për herë të parë u përballën zyrtarisht Shqipëria dhe Kosova. Për shqiptarët është një ndeshje thuajse në atdhe – falë lidhjeve të ngushta me Zyrihun, shkruan fillimisht prestigjiozja zvicerane “NZZ”.

“Të gjithë tifozët në stadium mbështesin kombin e njëjtë, shqiptarët. Se bëhet fjalë për dy përfaqësuese të ndryshme është çështje e parëndësishme,” përcjell albinfo.ch.

“Shqiponja është gjaku ynë”

Në stadium ishte i kudondodhur flamuri me shqiponjën dykrenore, ndërsa ai i Kosovës ishte më i rrallë. “Flamuri i Shqipërisë, shqiponja, është gjaku ynë, zemra jonë,” thotë Kujtim Gusturanaj, i cili me tre fëmijët e tij ndiqte ndeshjen në stadium. Në stadium kishte 18.700 tifozë, ku të gjithë këndonin himnin kombëtar të Shqipërisë. Shenjë e unitetit mes dy përfaqësueseve.

“Ne jemi kombi i njëjtë, që thjesht kemi ngjyra të ndryshme me të cilat përfaqësohemi – në njërën kuq e zi, në tjetrën verdhë e kaltër,” thotë funksionari i Federatës së Kosovës, Artan Govori. Në fund të ndeshjes, patjetër që fituan të gjithë, e përmbyll shkrimin prestigjozja zvicerane.