Mike Pompeo: Kur sulmohet liria e shtypit dhe tubimet.paqësore, shkohet në konflikte

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një ditë më parë raportin mbi Liritë fetare.  Në rastin e Shqipërisë raporti evidenton si një nga problemet themelore atë të çështjes së pronës për komunitetet fetare.

Shprehimisht raporti thotë: Grupet fetare raportuan se Agjencia për Trajtimin e Pronave (ATP) nuk ka përpunuar asnjë kërkesë për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit dhe ka miratuar vetëm një kërkesë për kompensim. ATP-ja tha se qindra kërkesa janë në pritje të ndryshimit të ligjit të pronës përpara se ato të zgjidhen

Në raport gjithashtu theksohet se ndërmjet muajve janar dhe maj, qeveria trajnoi 29 mësues në 15 shkolla si pjesë e një projekti provues arsimor për të ndihmuar parandalimin e radikalizmit dhe për të nxitur tolerancën fetare. Megjithatë, zbatimi i plotë i programit ngeci në muajin maj dhe e ardhmja e tij është e paqartë.

Raporti i publikuar ka përkuar me një situatë përplasjesh në Shqipëri. Në protestën e fundit të opozitës, u gjakos gazetari dhe kryetaredaktori i RD-së, Bledi Kasmi, i cili u godit nga efektivë të policisë me shkop gome në pjesën e kokës.

Gjithashtu të rinj të forumeve rinore të partive të opozitës ndodhen nën procedim penal, pasi kanë protestuar në mënyrë paqësore duke kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm. Pra në shumë pak ditë, janë cenuar qoftë e drejta e protestës paqësore ashtu edhe liria e medias.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është shprehur se " aty ku liritë themelore të besimit fetar, shprehjes, shtypit dhe tubimit paqësor janë nën sulm, gjejmë konflikte, paqëndrueshmëri dhe terrorizëm. Nga ana tjetër, qeveritë dhe shoqëritë që i përkrahin këto liri janë më të sigurta, të qëndrueshme dhe paqësore".

Referuar asaj që deklaron Sekretari amerikan i Shtetit, në Shqipëri të paktën 3 elementë janë nën sulm: liria e shprehjes, shtypit dhe tubimeve paqësore, dhe zhvillimet e ditëve të fundit e vërtetojnë këtë gjë.