E bujshme/ Kombëtarja e femrave në volejboll kualifikohet në finalet e Ligës së Europës

Kombëtarja e femrave në volejboll ka fituar sot 3-1 ndaj Izraelit në ndeshjen e katërt të Grupit B, të vlefshme për Divizionin e Argjendtë të Ligës së Europës, sukses që ka kualifikuar vajzat kuqezi në fazën finale të këtij eventi.

Pas suksesit 4 ditë më parë në Izrael sot erdhi fitorja e radhës në Tiranë.

Në sallën e lojërave “Feti Borova”, Shqipëria arriti një fitore të merituar, e treta në grup, duke prerë një biletë për më tej.

Një triumf i merituar edhe pse disi më i vështirë se ai i pak ditëve më parë, por këtë herë vajzat kuqezi të trajnerit Altin Martiri nuk përsëritën gabimet e sfidës me Austrinë.

Me 3 fitore dhe një humbje deri më tani në Grupin B, Shqipëria siguron kualifikimin për më tej edhe pse ka ende edhe dy takimet për të zhvilluar (në Austri jashtë fushe dhe me Gjeorgjinë në Tiranë).

Kjo është hera e parë që Shqipëria kualifikohet në fazën finale të këtij eventi në edicionin e tretë radhazi që merr pjesë.