E ëma zgjedh klubin e ri të Cristiano Ronaldos

Dolores Aveiro, nëna e Cristiano Ronaldos, ka folur për të ardhmen e 33-vjeçarit, që duket të jetë larg Real Madridit.

Në një intervistë për “SFR Sport” pas finales së Champions League në Kiev, Dolores Aveiro la të kuptohet se nëse Ronaldo nuk vazhdon me Realin, do të dëshironte kthimin në “Old Trafford” para transferimit te PSG-ja.

“Më pëlqen shumë Parisi, kam qenë disa herë. Hera e fundit ishte kur djali im fitoi ‘Topin e Artë’. U ndjeva shumë krenare. Sa herë që shkoj në Francë, të gjithë më trajtojnë mirë”, tha fillimisht Dolores Aveiro.

Kur u pyet nëse e ardhmja e djalit është në Paris, ajo nuk deshi të flasë shumë për këtë, por la të kuptohet se nëse CR7 do të largohet nga Reali, ajo preferon kthimin te Unitedi.

“Të them të vërtetën, nuk ka shumë rëndësi, por do të preferoja që ai të kthehej në Manchester”, deklaroi nëna e Ronaldos.