Kritika e ish-lojtarit kuqezi: Kombëtarja na ktheu shumë vite mbrapa, Kosova më pëlqeu

Ish-futbollisti i Kombëtares, Arjan Peço, bëri një analizë nga Zvicra, të ndeshjes Shqipëri- Kosovë, ku u shpreh tepër i zhgënjyer nga paraqitja e kuqezinjve.

“Shqipëria nuk tregoi vlerat e veta që jemi mësuar të shohim në epokën De Biasi. Qarkullim i topit shumë i avashtë dhe pa ritëm. Sistemi 4-4-2 ishte shumë statik. Çaloi shumë mesfusha. Kosova bëri një ndeshje të shkëlqyer. Nuk e di çfarë ka kërkuar Panucci nga ekipi.

Për mua janë 2 pyetje. Ose këtë lojtarë nuk kanë nivel, ose sot ishin në një ditë të zezë dhe nuk luanin në pozicionin e tyre.

Më pëlqyen shumë Halimi dhe Zeneli. Sot na kthyen shumë vite mbrapa. Nuk e kuptoj si Kombëtarja shqiptare la jashtë një lojtar të nivelit të Rashicës.

De Biasi pati një fizionomi të caktuar të lojës. Kishte lojtarë që bëni qarkullim topit të mirë. Kjo e bëri që Shqipëria të kishte nivel të lartë. Përbërja e lojtarëve nuk i përgjigjet ekipit. Rinovim pa kritere është pak e rrezikshme”, u shpreh Peço.