Zogaj: ‘Grupi i Rognerit’, qysh prej 20 vjetësh po e mban peng Kosovën

Debati në Kosovë për nisjen ose je të punës së Gjykatës Speciale është shtrirë dhe ka patur shumë akuza ndaj drejtuesve aktiualë të politikës në Prishtinë

 Publicisti Skender Zogaj thotë se që 20 vite Kosova po mbahet peng nga grupi i Rognerit. “Zinxhiri i nëntokës kriminale i organizuar në prag të luftës me seli në Rogner të Tiranës nën “protektoratin” e agjentëve të SHISH të Enver Hoxhës, është strukturë e fortë e cila e ka tjetërsuar qëllimin dhe ia ka lënduar përmbajtjen luftës çlirimtare duke e damkosur rëndë edhe vlerën historike të Kosovës. Kjo, sepse kriminelët kanë vrarë burra e gra nga më atdhetarët, për qëllime të dobëta dhe përfitime materiale! Kjo strukturë kriminale qysh prej 20 vjetësh është duke mbajtur peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të mbajtur në terr të vërtetën dhe krimet e shumta që janë bërë", deklaron Zogaj.

Zogaj shpreson që Gjykata Speciale do të arrijë t’i gjykojë pjesëtarët e këtij grupi. “Kjo gjendje e ka krijuar Gjykatën Speciale, e cila është shpresa e vetme e mposhtjes se strukturave të krimit. Prandaj kjo ka ngjallur shpërthim debatesh: kriminelët për t'i fshehur krimet dhe njerëzit e ndershëm me shpresën që më në fund do të zbardhet e vërteta dhe vihet në vendin e duhur drejtësia. Shqetësimet janë të arsyeshme dhe debatet janë kontribut i rëndësishëm për Gjykatën Speciale”, shtoi ai.