‘Unë jam Fatmira’, filmi që po inspiron lëvizjen feministe në komunitetin rom

‘Ndoshta ju mund të keni dëgjuar për komunitetin tim.

Çdokush  ka një opinion. Pyes veten çfarë mund të keni thënë për ne, ose çfarë mund të keni dëgjuar për ne.

Sot dua që ju të shihni romët përmes syve të mi’, kështu e nis rrëfimin  e saj, protagonistja kryesore e filmit virtual ‘Unë jam Fatmira’, prodhim i zyrës rajonale të PNUD me seli në Stamboll, në bashkëpunim me projektin ‘Fuqizim Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët-shtysë për përfshirjen sociale’ (ESERE) i financuar nga BE dhe zbatuar nga PNUD, Shqipëri

Filmi u shfaq gjatë muajit Maj para komunitetit Rom e Egjyptian që jeton e punon në disa qytete të vendit, si Berati, Shkodra, Durrësi, Fushë-Kruja dhe Tirana.

Interesi I komunitetit Rom në qytetin e Fushë-Krujës  për të parë filmin kushtuar njeriut të tyre ishte i madh dhe këtë e tregonte salla e mbushur plot me fëmijë të shoqëruar nga prindërit.

36-vjeçaren e njohin të gjithë dhe puna e saj në komunitet shihet me respekt.

Por a ka qenë e lehtë të arrije deri këtu?

Fatmira thotë se si grua e divorcuar shihej me paragjykim nga familjet rome.

‘Një ndër gjërat e para për të cilat luftova ishte që fëmijët romë të mos diskriminoheshin.

Sot jam shumë krenare teksa shoh fëmijët romë që janë integruar në këtë qytet’, thotë me sytë e qeshur Fatmira Dajlani.

Historia e jetës së Fatmirës ngjason me pjesën më të madhe të jetës së gruas në komunitetin Rom.

Braktisje e shkollës në moshë të vogël, martesa pa mbushur 14 vjeç,  pastaj divorci dhe  më pas kalvari i vështirësive për të rritur e vetme fëmijët.

Por nëna e 2 fëmijëve nuk e ndjen veten viktimë të fatit të saj.

Përkundrazi, në film Fatmira kërkon të  frymëzojë gratë rome që kanë të njëjtin fat si ajo, të mos dëshpërohen pasi gjithmonë në fund të tunelit ka dritë.

“Jam bërë pishman që jam martuar e re.

Isha fëmijë në atë kohë, nuk dija si të ndërtoja jetën që kisha filluar.

Burrit nuk i pëlqente të punoja me komunitetin.

Por unë jam e fortë,  prandaj u shkëputa nga kjo martesë.

Sot, unë ndaj eksperiencën time me gratë e tjera për t’i ndihmuar të dalin nga ky rreth vicioz”, thotë Fatmira në film.

‘PNUD dhe BE në UNDP Shqipëri, ka një program të gjatë pune me komunitetin Rom dhe ne kërkuam shumë mes tyre të gjenim personin e duhur për ta përfshirë në film.

Qëllimi ishte të evidentonim problematikat e komunitetit Rom, parë në këndvështrimin e vetë banorëve të tij’, shpjegon Karen Cirillo, konsulente komunikimi në zyrën rajonale të PNUD me seli në Stamboll, e cila thotë se ideja e filmit ishte inspirimi i shembullit pozitiv të një gruaje rome për të gjitha gratë e komunitetit të saj, përpjekjet për tja dalë mbanë vështirësive me të cilat përballet ajo si brenda familjes dhe në shoqëri.

Sipas saj, Fatmira ishte një zbulim, një grua luftarake, këmbëngulëse për të arritur qëllimin e saj, pra një lidere për të cilën ka nevojë komuniteti rom.

‘Kur takova Fatmirën, e kuptova menjëherë se ajo mund të ishte një ambasadore për komunitetin.

U mrekullova me natyrën e saj të fortë dhe të hapur, me mënyrën se si jetonte dhe se si punonte në komunitet’, thotë Karen.

Filmi virtual ‘Unë Jam Fatmira’ është shfaqur dhe në qytetin e Shkodrës, atje ku jeton një numër jo i vogël popullsi rome dhe egjiptiane.

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka qenë e pranishme gjatë prezantimit të filmit në  Qendrën Komunitare Multifunksionale në Shkodër.

Ndër të tjera, në fjalën e saj, kryebashkiakja Ademi ka premtuar më shumë angazhim nga pushteti vendor për përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve.

Kryebashkiakja thotë se mes komuniteteve rome dhe egjyptiane ka takuar gra e vajza luftarake po njësoj si protagonistja e filmit, Fatmira Dajlani.

“E them me bindje se në komunitetin rom dhe egjyptian këtu në Shkodër mund të gjesh dhjetëra Fatmira që përditë luftojnë me paragjykimet si gra të divorcuara, me diskriminimin gjinor brenda e jashtë komunitetit por që nuk janë dorëzuar.

Unë kam vite që bashkëpunoj me aktiviste rome dhe egjyptiane e bashkë kemi bërë të mundur që të dërgojmë në shkollë gati 100 mijë fëmijë që deri dje e kishin braktisur atë”, thekson zonja Ademi.

Një sfidë në punën e bashkisë Shkodër, sipas kryebashkiakes Voltana Ademi, është çështja e strehimit për komunitetin rom dhe egjyptian.

“Ne kemi ende familje që jetojnë në kampe, ku brenda një çadre mund të gjesh më shumë se 10 pjesëtarë të një familje, për fatin e tyre të keq, pasi ne nuk mundemi ti ofrojmë asnjë alternativë për strehim.

Ndonëse kemi paraqitur projekte pranë qeverisë për thithjen e fondeve për ndërtimin e apartamenteve që do të strehojnë këto komunitete të margjinalizuara, prej disa vitesh nuk kemi asnjë përgjigje pozitive”, thotë me keqardhje kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.

Anketa Rajonale mbi Romët 2017 e zbatuar nga zyra e PNUD në Shqipëri në bashkëpunim me Bankën Botërore, me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian, Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Negocim dhe Zgjerim Rajonal (DG NEAR) tregoi se romët e margjinalizuar në Shqipëri, vazhdojnë të përballen me akses të kufizuar në pothuajse çdo aspekt të zhvillimit njerëzor, siç janë të drejtat themelore, shëndetësia, arsimi, strehimi, punësimi dhe standardi i jetesës.

“Ndërsa shkalla e regjistrimit në arsimin parashkollor të fëmijëve romë të margjinalizuar në Shqipëri, 35 përqind, është më e larta në rajon, kjo shifër mbetet akoma larg asaj të fqinjëve jo-romë dhe diferencat në arsim janë veçanërisht të dukshme për arsimin e detyrueshëm dhe atë përtej tij.

Më pak se gjysma e të rinjve romë të margjinalizuar 18-21 vjeç  kanë përfunduar arsimin e detyruar.

 Gratë rome vazhdojnë të martohen në moshë të hershme.

Strehimi dhe kushtet e jetesës vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh.

Megjithëse ka pasur përparim të dukshëm që nga viti 2011, romët e margjinalizuar ende jetojnë në banesa të mbipopulluara ”, thuhet në njoftimin për mediat të zyrës së PNUD në Tiranë, në lidhje me të dhënat e Anketës rajonale 2017.

Në ditën ndërkombëtare të romëve, më 8 prill, edhe eurodeputët e Parlamentit Evropian,  u njohën me filmin virtual “Unë jam Fatmira”.

Të gjithë ngrenë të njëjtën pyetje.

 A është e mundur që brenda komunitetit rom e egjyptian të frymëzojmë të tjera gra e vajza rome që  të mos tremben nga vështirësitë, por të dëshirojnë të punojnë për komunitetin, njësoj si Fatmira?

Karen shprehet optimiste megjithëse  sipas saj “duhet të pranojmë se mund të jetë e vështirë të thyhen normat që tradicionalisht i kanë mbajtur gratë rome nga arritja e asaj që ata janë të aftë.

“Mendoj se njerëzit në përgjithësi shohin vetëm një pasqyrë të caktuar të komunitetit rom, gjë që shpesh është negative.

Së pari, është e rëndësishme për jo-romët të shohin një anë tjetër të asaj që normalisht mund ta shohin, të shohësh një grua të fuqizuar që punon për të ndihmuar komunitetin e sa.

 Së dyti, është e rëndësishme për komunitetin rom të shohë gjithashtu një avokat të fortë që ka ardhur nga komuniteti, ka jetuar me të njëjtat beteja që kanë të tjerët, por vazhdon të punojë shumë për të përmirësuar kushtet për romët”,  nënvizon Karen Cirillo,  konsulente komunikimi në zyrën rajonale të PNUD me seli në Stamboll.