Përplasje në komision për Xhafajn, Noka përballë Manjës e Finos

Protesta e opozitës në Komisionin e Ligjeve është pritur me debate nga deputetët e PS-së, që kanë kërkuar të lihen menjanë retorikat politike dhe të vazhdohet me rendin e ditës.

Ndaj thirrjes së ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka që mazhoranca të mos e marrë peng vendin për interesat e saj, ka reaguar kryetari i komisionit, deputeti socialist Ulsi Manja, i cili i ka kërkuar Nokës që opozita nuk duhet të protestojë në këto momente kur Shqipëria po pret të hapen negociatat nga BE-ja.

Ja debati midis deputetëve:

Noka: Përgjegjësi është një dhe vetëm një, mazhoranca dhe Edi Rama. Shqipëria nuk jua ka për borxh ta merrni peng për interesa.

Manja: Ne ishim në opozitë atëherë kur ndodhi Gërdeci, z. Noka por jua dhamë dorën për të futur Shqipërinë në NATO. Tani ku jeni ju?!

Fino: Ti bën të njëjtën retorikë politike, z.Noka. Shumë mirë që u bë para mediave që ta dëgjojë dhe qeveria. Po a mund të ndërpresim këtë retorikë politike dhe të vazhdojmë?

Noka: Z. Fino, të mos bëheshit barrikadë për të mbrojtur Saimir Tahirin! Fatmir Xhafaj të jepte dorëheqjen! Ju me Tahirin të mbrojtur nga drejtësia, me Ramën që ka marrë peng drejtësinë dhe me Fatmir Xhafajn, i jeni bërë barrikadë integrimit.

Manja: Z. Fino, edhe 2-3 kolegë janë nga opozita dhe mbaruan!

Mediu: Për ata që nuk e dinë është se anëtarimi i Shqipërisë në NATO nuk ka ardhur për shkak të tolerancës por për shkak të reformës. Duke bërë të gjithë reformat! Dua të kthej në vëmendjen tuaj, qëndrimin e Macron dhe Juncker: Ka një rrezik potencial rajoni juaj, rrëshkitjen drejt Rusisë dhe Turqisë dhe influencat. Pyetja është ku jemi ne lidhur me këto influenca?! Ky është një shqetësim që ne duhet ta shohim me interesin më të madh. Nuk i heq asnjë presje atyre që thanë kolegët e mia. Nuk mund të ketë të ardhme europiane nëse në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme! Ti japim pushtet qytetarëve dhe jo individëve të veçantë!"